Lajme

Rregullorja e re e Kuvendit e cila parasheh masa disiplinore ndaj deputetëve, miratohet në lexim të parë


Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën plenare të 22 shkurtit kanë miratuar në lexim të parë rregulloren e re të legjislativit që mes tjerash parasheh masa disiplinore ndaj deputetëve të papërgjegjshëm.

Për kryetarin e komisionit për legjislacion, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, draft-rregullorja në fjalë definon procedura për seancën konstituive në përpurthje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

“Kryesimin e seancës në rastin e refuzimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve, proceduarën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe procedurën e nominimeve të zgjedhjes së nënkryetarëve të pakicave”, ka thënë Rrustemi.

Draft-rregullorja sipas Rrustemit forcon rolin e Kryetarit të Kuvendit në çështjet si përgatitja dhe propozimi i rendit të ditës.

“Formalizon dhe normon praktikën aktuale të konsultimit me shefat e grupeve parlamentare rreth rendit të ditës, numrit dhe përbërjes së komisioneve të Kuvendit, duke krijuar konferencën e kryetarëve si një organ të ri të Kuvendit”, ka shtuar ai.

Rregullorja e re e Kuvendit e cila u miratua në lexim të parë me përkrahjen e të gjitha grupeve parlamentare, parasheh gjithashtu të drejtat dhe papërgjegjësinë e deputetit për të marrë pjesë në procesin e votimit në seancën dhe përcakton rregullat kur mungon në seancë plenare apo mbledhje të komisioneve.

Adnan Rrustemi

Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se masat disiplinore që janë propozuar karshi deputetëve nuk duhet të cenojnë punën e lirë të tij.

“Ka mangësi që duhet të adresohen në mes dy leximeve. Janë disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë të përfshira në rregullore. Siç është konstituimi i Kuvendit, ku aktvendimi e Gjykatës Kushtetuese e bënë të qartë kur konstitutohet Kuvendi, ndërsa propozimi i ri në rregullore bie ndesh me këtë, pasi kuvendi nuk konstituohet pa u zgjidhur të gjithë nënkryetarët e Kuvendit”, ka thënë Tahiri.

Abelard Tahiri

Përkrahje draft-rregullores i dha edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes deputetit, Driton Selmanaj, duke shtuar se në lexim të dytë duhet adresuar disa çështje që kërkojnë sqarime më shumë.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri rregulloren e re të Kuvendit e ka cilësuar si të vonshëm, kjo për arsye të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila sa ishte në opozitë nuk ka marrë pjesë në grupe punuese në lidhje me këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore