Aplikacione

Rregullatori i Kinës ndal Tencent-in nga të drejtat ekskluzive të muzikës në internet


Në Kinë, rregullatori i tregut ka deklaruar se do të ndalonte kompaninë teknologjike, Tencent Holdings Ltd, nga marrëveshjet ekskluzive të së drejtës së muzikës dhe se do ta gjobiste atë për praktikat e padrejta në tregun e muzikës në internet pas blerjes së China Music Corporation.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në muajt e fundit, qeveria kineze ka shtuar aksionet e antitrustit kundër kompanive të mëdha të teknologjisë në vend, duke përfshirë një gjobë rekord prej 2.75 miliardë dollarësh për gjigantin e tregtisë elektronike, Alibaba, për përfshirje në sjellje antikonkurruese.

Nga ana tjetër, Tencent-i dhe Tencent Music Entertainment Group, njësia e krijuar nga blerja, kanë njoftuar se do t’i binden vendimit dhe do të jenë në përputhje me të gjitha kërkesat rregullatore.

Administrata Shtetërore e Rregullimit të Tregut (SAMR) ka deklaruar mbi çështjen se kishte hetuar aktivitetet e Tencent-it në tregun e platformës së transmetimit muzikor në internet, në të cilën e drejta e autorit të muzikës është pasuria kryesore.

Në mes të muajit korrik, Reuters njoftoi se rregullatori i antitrustit do të urdhërojë krahun e transmetimit të muzikës së Tencent-it të heqë dorë nga të drejtat ekskluzive për etiketat muzikore që ka përdorur për të konkurruar me rivalë më të vegjël, duke cituar njerëz me njohuri mbi çështjen.

Për sa i përket Tencent-it, ai ka mbajtur më shumë se 80 për qind të burimeve ekskluzive të bibliotekës muzikore pas blerjeve të saj. Sipas rregullatorit, kjo ka kufizuar hyrjet e reja në platformë.

Sipas SAMR-së, Tencent-i dhe kompanitë e veta të lidhura nuk duhet të angazhohen në marrëveshje ekskluzive për të drejtat e autorit me pronarë në rrjedhën e sipërme të të drejtave të tilla, ndërsa marrëveshjet ekzistuese duhet të përfundojnë brenda 30 ditëve nga njoftimi rregullator.

Gjithashtu ka urdhëruar kompaninë të paguante një gjobë prej 500 mijë juan ose ndryshe 77 mijë e 150 dollarë.

Rregullatori, në fillim të këtij muaji, ka njoftuar se do të bllokonte planin e Tencent-it për të bashkuar dy vendet kryesore të transmetimit të videolojërave në vend, Huya dhe DouYu, mbi baza antitrusti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore