Aplikacione

Rregullatori australian, autorizim të bisedimeve mes botuesve dhe platformave


Në Australi, mbikëqyrësi i konkurrencës ka njoftuar se ka nxjerrë ​​projekt-propozime, për të autorizuar grupin rajonal të industrisë së gazetave, Country Press Australia (CPA), për të negociuar me Google-in dhe Facebook-un mbi pagesat për përmbajtjen e lajmeve në platformat e tyre.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo lëvizje ka ardhur pasi CPA-ja ka kërkuar autorizim, për t’i lejuar anëtarët e saj të bëjnë një marrëveshje pagese me Google-in dhe Facebook-un mbi përdorimin e përmbajtjes së lajmeve në platformat e teknologjisë.

Kështu është thënë prej Komisionit Australian të Konkurrencës dhe Konsumatorit (ACCC).

Për sa i përket CPA-së, grupi përfaqëson 81 botues të lajmeve që botojnë afro 160 gazeta rajonale në të gjithë vendin.

“Lejimi i botuesve të 160 gazetave që të negociojnë kolektivisht me Google-in dhe Facebook-un, duhet të ndihmojë në adresimin e disbalancimit të konsiderueshëm të fuqisë së negociatave që ekziston midis gjigantëve digjitalë dhe mediave lokale”, ka thënë në një deklaratë kryetari i ACCC-së, Rod Sims.

Reuters shkruan se autorizimi i propozuar, i cili do të skadojë pas 10 vjetësh, pason një autorizim të përkohshëm të dhënë nga ACCC-ja për CPA-në në muajin prill për të filluar negociatat.

Australia, në nisje të këtij viti, ka miratuar një ligj që mandatonte kompanitë e mëdha të teknologjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të paguar kompanitë mediatike mbi përmbajtjen e lajmeve në platformat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore