Shqipëria

Rrëfimi ‘kibernetik’ – Irani pas tij?


Më 14 korrik, Hamid Noury, një ish-zyrtar iranian, u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë suedeze, për krime lufte të lidhura me ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në Iran në vitin 1988.

Noury u arrestua në nëntor 2019 pasi zbriti nga një fluturim që mbërriti në aeroportin e Stokholmit nga Irani. Policia suedeze mori masa në bazë të një kallëzimi penal bazuar në dëshmitë e ish të burgosurve politikë.

Sipas gjykatës, 61-vjeçari Hamid Noury luajti një rol të rëndësishëm në vrasjet e të burgosurve politikë midis korrikut dhe shtatorit 1988, ndërsa ishte ndihmës-prokuror në burgun e Gohardashtit në Karaj (Iran).

Shumica e të burgosurve politikë të vrarë, për të cilët akuzohet Noury, i përkisnin grupit Muxhahedin e-Khalq (MEK) dhe një pjesë e vogël e të majtës iraniane. Urdhri për ekzekutimin e tyre erdhi nga udhëheqësi i atëhershëm i Republikës Islamike, Gran Ajatollah Ruhollah Khomeini, pas një sulmi gjatë luftës Iran-Irak nga gjashtë anëtarë të MEK-ut.

Gjykatat sekrete që u bënë të njohura si “Komiteti i Vdekjes” morën në pyetje dhe dënuan mijëra të burgosur me vdekje. Presidenti aktual i Iranit, Ebrahim Raisi, ishte një nga katër gjyqtarët që u ulën në gjykata, megjithëse ai mohon përfshirjen në vrasje.

MEK, i njohur gjithashtu si Organizata e Muxhahedinëve të Popullit Iranian, është krijuar në Iran në vitin 1965 nga një grup studentësh radikalë që ndërthurën marksizmin dhe islamin. Themeluesit janë tre studentë: Mohammad Hanifnejad, Said Mohsen dhe Ali Asghar Badizadegan. Massoud Rajavi u bë udhëheqësi i lëvizjes vite më vonë dhe do të mbetet i tillë deri në 2003, vit kur humb çdo gjurmë e tija, duke lënë pas misterin.

Anëtarët e MEK-ut ishin ndër të parët që zhvilluan luftën e armatosur kundër Shahut dhe amerikanëve të shumtë të pranishëm në atë kohë në vend. Ata mbështetën gjerësisht sulmin ndaj ambasadës amerikane në Teheran në vitin 1979 dhe kundërshtuan me vendosmëri vendimin për lirimin e pengjeve në vitin 1981.

Ndërmjet viteve 1980 dhe 1981, Irani përjetoi një sezon politik të terrorit të vërtetë, shënuar si nga spastrimet e regjimit të porsalindur, ashtu edhe nga sulmet dhe atentatet e shënjestruara ndaj Iranit nga muxhahedinët.

Në vitin 1981, një sulm nga MEK fshin liderët e Republikës Islamike: 70 oficerë vriten, duke përfshirë presidentin e atëhershëm iranian Mohammad-Ali Rajai dhe kryeministrin Mohammad-Javad Bahonar. Udhëheqësi Suprem aktual, Ali Khamenei, do të plagosej rëndë në atë atentat dhe do të humbiste përdorimin e krahut të djathtë.

Pas atij episodi, udhëheqësit e Muxhahedinëve, përfshirë liderin Masoud Rajavi, u strehuan në Paris, ku themeluan Këshillin Kombëtar të Rezistencës Iraniane (NCRI), ombrellën politike pas së cilës qëndron MEK.

Në vitin 1986, Franca dëboi Rajavin dhe MEK-un, të cilët u strehuan në Irakun e Sadam Huseinit, atëherë në luftë me Iranin. Nga atje, muxhahedinët do të marrin pjesë në luftë në anën e Sadamit, duke ndihmuar regjimin irakian të identifikojë objektivat iraniane për të goditur duke organizuar sulme reale përtej kufirit.

MEK-ët qëndrojnë në Irak si mysafirë të Sadamit, i cili u jep para, armë dhe mjete ushtarake, deri në vitin 2003, viti i rënies së regjimit. Edhe pas vitit 2003, selia e muxhahedinëve mbetet në Irak, në kampin Ashraf dhe më pas nga viti 2011 në kampin Huriyah.

Në vitin 2012, Shtetet e Bashkuara e hoqën grupin nga lista terroriste dhe nëpërmjet UNHCR-së arritën një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të pritur 3 mijë e 500 anëtarët e tij nga kampet irakiane në Shqipëri, bazuar në një status të veçantë.

Por le të kthehemi te Hamid Noury, i akuzuar nga gjykata suedeze se ka marrë pjesë në ekzekutimet masive të Gohardashtit dhe, si i tillë, “duke vrarë me dashje një numër të madh të burgosurish që simpatizonin muxhahedinët dhe, për më tepër, se kishte ushtruar ndaj të burgosurve tortura të rënda, të cilat konsiderohen si torturë dhe trajtim çnjerëzor”.

Ekipi mbrojtës i Noury-t pretendoi se ai ishte viktimë e një identiteti të gabuar. Ministria e Jashtme iraniane tha: Irani është absolutisht i sigurt se dënimi i Noury-t ishte i motivuar politikisht dhe nuk ka vlefshmëri ligjore.

Më 18 korrik, menjëherë pas dënimit, një politikan i shquar, konservator iranian Mostafa Mir-Salim deklaroi se djali i tij ishte në burg duke vuajtur një dënim 5-vjeçar për lidhje me organizatën e muxhahedinëve (MEK) me bazë në Shqipëri. Lajmi është disi befasues, së pari sepse Mir-Salim ka qenë ministër i kulturës dhe kandidat për president, si dhe shef i shtabit të liderit suprem Ali Khamenei kur ai ishte president.

Dhe së dyti, djali i tij, siç ai vetë deklaron, u arrestua në korrik 2019 dhe u dënua me pesë vjet burg në shkurt 2020 me akuzën se ka vepruar kundër sigurisë kombëtare përmes bashkëpunimit me MEK-un. Ai u burgos në burgun Evin në shkurt të vitit 2021, por babai i tij jep lajmin vetëm pak ditë më parë dhe vetëm pas dënimit me burg të përjetshëm të Noor-it në Stokholm.

Ndërkohë, më 15 korrik, në Tiranë, pas një operacioni të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), antiterrorizmit dhe policisë së shtetit, shoqërohen dhe merren në pyetje 20 persona, ish-anëtarë të MEK-ut. Nën mandatin e Prokurorit u kontrollohen banesat, makinat dhe kompjuterët e tyre.

Sipas dosjes hetimore, të arrestuarit po planifikonin të kryenin një sulm në Shqipëri kundër anëtarëve të MEK-ut, me qendër në Manëz dhe po mblidhnin informacione për anëtarët, drejtuesit dhe shtëpitë e tyre për llogari të qeverisë iraniane. Ish anëtarët e MEK-ut të marrë në pyetje, sipas Prokurorisë, kanë qenë të financuar nga Pasdaranët (Rojet e Revolucionit-vullnetarë të një organizmi paraushtarak iranian të angazhuar në mbrojtjen e rendit të vendosur me revolucionin islamik të ’79 nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm) dhe qeveria iraniane.

Kështu befas më 19 korrik, një grup i quajtur “Drejtësia e Atdheut” postoi në rrjetin social “Twitter” material kërcënues kundër Agjencisë Kombëtare Shqiptare dhe Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të goditet së shpejti me një atak në zemër!

Sipas tyre, ata nuk kanë dashur dhe nuk duan të cenojnë interesat e popullit shqiptar. Por “Kur bëhet fjalë për qeverinë dhe politikanët e korruptuar të Shqipërisë, kjo është një histori tjetër. Shqipëria nuk është shtëpia e terroristëve dhe mashtruesve”, shkruan faqja anonime.

Ndër hashtag-ët e përdorur nga “Drejtësia e Atdheut” janë ato të Manëz-it dhe Durrësit (vende ku jetojnë muxhahedinët në Shqipëri).

Logoja e përdorur e hakerëve përmban një shqiponjë që kap Yllin e Davidit në kthetrat e saj, me referencë të qartë për flamurin e Izraelit.

Nga i njëjti “regjiment”, kanë ardhur edhe email-e dhe mesazhe në redaksinë e Albanian Post. Ndëshkimi i politikanëve shqiptarë, është sërish në thelb të tyre!

Të gjitha shërbimet publike online dhe faqet e internetit në Shqipëri u mbyllën.

Në deklaratat zyrtare të qeverisë dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, hakerët nuk kërkuan asnjë shpërblim nga AKSHI. Por, nga ana tjetër Rama theksoi se pas sulmit kibernetik qëndron një shtet tjetër dhe jo “një bandë dixhitale që merret me gjobat”.

Prandaj, kryeministri nuk e mohoi, por as nuk pohoi se pas sulmit qëndrojnë hakerat iranianë.

“Pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh papushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet”, vëren njoftimi nga kryeministria.

Më 21 korrik, sërish Edi Rama njoftoi se sulmi kibernetik u spraps dhe se platforma u rikthye në funksionim, duke përsëritur se dyshimet për hakerimin shkojnë në drejtim të dy shteteve.

“Së pari, sulmi nuk është një sulm nga hakerë të zakonshëm. Ky është një agresion i organizuar nga një shtet.”

“Këto teknika janë përdorur si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit”, do të vazhdonte ai.

Sigurisht që prova në rrugë zyrtare nuk ka akoma, ndërkohë që një varg faktesh, na shtyjnë në një drejtim: pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve të qeverisë shqiptare me shumë gjasë qëndron Republika Islamike e Iranit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore