Gjykata Speciale

Rrëfimi i Halit Sahitajt në SHBA për manipulimin në Hagë


Shpërthimi i skandalit me deklaratat e rreme të Halit Sahitajt kundër krerëve të UÇK-së, e që ai thotë të jetë instruktuar nga Faik Imeri, zbuloi një zhvillim që lëndon rëndë kredibilitetin e Gjykatës Speciale dhe infekton procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

Halit Sahitaj, në raportin e hartuar nga ish agjenti i DEA-as amerikane, John Moynihan, që ka rreth 150 faqe, dhe i cili është publik, jep versionin e tij për njohjen me Faik Imerin, për dëshmitë e tij në Hagë, si dhe për takimet e tyre në Beograd me zyrtarë të Shërbimit Sekret Serb.

Ai pohon se në shkurt të vitit 2020 kishte pranuar thirrjen e parë nga Faik Imeri, i cili thotë t’i jetë prezantuar si përfaqësues i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe me emrin “Floriani”.

Pjesë nga deklaratat e Sahitajt për raportin e hartuar nga ish agjenti i DEA-as amerikane janë dhënë në dokumetarin “Manipulimi Special”, transmetuar në Opinon/TV Klan dhe Albanian Post-Tiranë.

“Gjatë një telefonate, më në fund e pyeta Florianin se në cilën agjenci punon. Më tha ta ndizja kamerën e telefonit për të kaluar në video-chat. Kur e bëra, ma tregoi një copë letër në të cilën kishte shkruar me dorë: CIA. Nuk e tha. Vetëm e tregoi letrën. Në këtë kohë, isha disi i bindur se Floriani ishte agjent i CIA-s”, rrëfen Sahitaj.

Më vonë, siç thotë Sahitaj, Imeri i kishte folur për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë.

“Floriani tha se do të më prezantonte me Prokurorin Special Jack Smith, për të parë saktësisht se si mund ta ndihmoja hetimin”.

“I vazhdova kontaktet e përditshme me Florianin përgjatë korrikut. Një ditë, Floriani më telefonoi dhe më njoftoi se Jack Smith po përgatitet të arrestojë të gjithë njerëzit e lartë të Qeverisë në Kosovë. Vazhduam të bisedojmë për këtë çështje për disa ditë dhe javë. Gjatë një bisede, Floriani më tha se Jack Smith mendonte se unë mund të ndihmoja në procedurat gjyqësore. Unë pata gatishmëri të ndihmoja”.

Skenari në dëm të krerëve të UÇK-së, siç del nga kjo dëshmi, po konstruktohej. Ai lidhej me rrjedhjen e dosjeve të Prokurorisë së Specializuar.

“Ai (Faik Imeri) tha se Jack donte të dinte nëse unë mund t’i ndihmoja me dëshmi, sepse ata nuk kishin prova të mjaftueshme për të arrestuar njerëzit. Tha se çdo ndihmë do të ishte shumë e çmuar. Tha se kjo do ta ndihmonte vendin tim, Prokurorinë në Hagë, dhe Shtetet e Bashkuara. Pastaj, ai filloi të më trajnonte për dëshminë që kisha për ta dhënë”.

“Pak ditë më vonë, më tha se duhet të jem në Prokurorinë e Hagës për ta dhënë këtë dëshmi, më 1 tetor 2020… Kështu, vendosa të vazhdoj me dëshminë”.

“Më 1 tetor 2020, shkova nga hoteli në Hagë në Zyrën e Prokurorit. E dhashë dëshminë time… Në dhomë ishte prokurori amerikan David, një hetues gjerman dhe një përkthyes shqiptar. Gjatë dëshmisë, e shikova fletoren time disa herë – për t’u siguruar se po i thosha gjërat në mënyrë korrekte”, thotë Halit Sahitaj në këtë dokument.

Sahitaj, sipas asaj që ka rrëfyer, kishte vazhduar dëshminë e tij edhe më 2 tetor 2020. Pak çaste pasi kishte përfunduar intervistën, thotë ta ketë telefonuar Faik Imerin për t’i treguar se e kishte kryer misionin.

“Ai më këshilloi të bëja dy video-selfie, me Prokurorinë në sfond. Njërën video do ta bëja në serbisht, tjetrën në shqip. Bëra videot dhe u nisa me makinën time për në Belgjikë. Rreth dy orë pas udhëtimit tim, Floriani më dërgoi screenshot të një mesazhi telefonik që mori nga Jack Smith. Mesazhi thoshte: ‘Shoku juaj spanjoll ka bërë një punë të mirë’, me një emoji me gishtin lart”, thotë Sahitaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore