Shqipëria

Roth takon shoqërinë civile: Shqipëria meriton hapin e radhës drejt BE-së


Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka zhvilluar një takim me aktivistë të shoqërisë civile në Tiranë, ku ndër temat e trajtuara kanë qenë ato të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe diversitetit social në Shqipëri.

Hapi i radhës drejt Bashkimit Evropian, ka qenë i theksuar në postimin që ministri gjerman ka vendosur në Twitter.

“Shqiptarët meritojnë hapin e radhës drejt integrimit evropian”, shkruan ai.

Këtë fakt, ministri e ka theksuar edhe gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, më 27 maj. Aty, ai i cilësoi të përmbushura kushtet që unioni i ka vendosur Shqipërisë. Gjithsesi, fjala i takon tashmë Komisionit Evropian. Problematike shfaqet vetoja bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila mund të pengojë edhe hapjen e negociatave për shqiptarët.

Vitin e fundit pandemik nga ana tjetër, Roth e ka cilësuar të vështirë, mbi të gjitha për lëvizjet popullore.

“Pata një shkëmbim të frytshëm me aktivistë të shoqërisë civile në Tiranë. Folëm mbi zgjedhjet dhe demokratizimin. Për lëvizjet popullore, ka qenë vit i vështirë për shkak të pandemisë”.

Roth ka takuar gjatë ditës së sotme edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Si thelbësore, ai ka theksuar gjetjen e një toni konstruktiv qeveri-opozitë. Kjo, për të pasur bashkëveprim mbi integrimin evropian dhe çështje themelore të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore