Sport

Ronaldo mund të përballet me sezonin e tij të parë pa Champions League


E ardhmja e Cristiano Ronaldo-s te Manchester United po duket gjithnjë e më shqetësuese, pavarësisht aftësive të tij të vazhdueshme për të gjetur rrjetën, pasi ka shënuar 17 gola në 28 ndeshje në Premier League.

Në fakt, 37-vjeçari është golashënuesi i dytë në Premier League, vetëm pas Mohamed Salah të Liverpool-it.

Megjithatë, United po kalon një nga sezonet e tyre më të këqija në historinë e klubit dhe është pesë pikë prapa Arsenal-it të vendit të katërt, pasi ka luajtur dy ndeshje të tjera.

“Nuk ka kuptim të flasim dhe të spekulojmë tani për Ligën e Kampionëve”, tha Ralf Rangnick përpara ndeshjes së United me Chelsea-n në fillim të kësaj jave.

“Duhet të jemi realistë. As edhe të mos fitojmë katër ndeshjet që kemi përpara [tani tre] do të ishte në duart tona për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”.

Pas barazimit 1-1 ndaj Chelsea-t, Djajtë e Kuq u kritikuan ashpër nga ish-kapiteni Roy Keane.

“Nuk ka intensitet, gjatë gjithë sezonit ata kanë hequr dorë nga shumë mundësi, e kemi parë sërish sonte”.

Realiteti është se sezoni i United ka qenë një dështim, pavarësisht nënshkrimeve me emra të mëdhenj që erdhën në verë si Raphael Varane, Jadon Sancho dhe Ronaldo, i cili ka parë se si kthimi i tij në shtëpi është bërë një makth që mund të përfundojë pa një vend në Champions League sezonin e ardhshëm.

Që kur bëri debutimin e tij për Sporting CP në 2002/03, Ronaldo ka luajtur gjithmonë në Champions League.

Edhe në atë sezon të parë si lojtar i ri, ai luajti një ndeshje kualifikuese të raundit të tretë kundër Inter-it, megjithëse ata nuk u kualifikuan dhe në vend të kësaj luajtën në Kupën UEFA.

Në sezonin pasues 2003/04, tashmë si lojtar i United, Ronaldo debutoi në fazën e grupeve të Champions League në një humbje 2-1 kundër Stuttgartit.

Që atëherë, ai ka luajtur gjithmonë dhe është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve (140 gola), ndërsa ka edhe rekordin për më shumë gola në një sezon (17), më shumë gola në fazat eliminatore (67), e më së shumti ndeshje të luajtura (187).

“Vazhdimësia është diçka për të cilën duhet të flasim midis Erik ten Hag, bordit dhe meje”, tha Rangnick.

“Cristiano ka edhe një vit në kontratën e tij, por është gjithashtu e rëndësishme të zbulohet se çfarë dëshiron, nëse dëshiron të qëndrojë”.

Ronaldo, i cili ka shënuar tetë nga nëntë golat e fundit të United, do të përballet me një sezon unik në karrierën e tij të jashtëzakonshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore