Lajme

Romë, mjekët kundër vaksinës AstraZeneca: “Duam Pfizer”


Rastet e infektimit janë ulur me 64.2% në mesin e punonjësve shëndetësorë, gjatë tre javëve të fundit, në Itali. Këto janë statistikat e monitoruara nga Fondacioni Gimbe.

Këto të dhëna bazohen në 4 mijë e 382 personat e regjistruar nga Instituti i Lartë i Shëndetit (ISS), nga data 13 deri më 19 janar.

“Vaksina Pfizer rezulton 90% efektive për parandalimin e infeksioneve me COVID-19.  Në vend të saj na japin AstraZeneca-n, e cila arrin ndoshta deri në 70%”, thotë një psikiatre për gazetën La Regione, që pret të vaksinohet në Kryqin e Kuq në Aeroport. Pranë saj janë edhe dy mjekë të tjerë, një gjinekolog dhe një dentist. Ata janë gjithashtu duke pritur të vaksinohen.

Për mjekët dhe personelin shëndetësor ishin 400 vaksina, në ditën e parë të qendrës së re, të krijuar nga Aeroporti i Romës dhe Kryqi i Kuq, në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtar Leonardo da Vinci.

Organizimi ishte efikas, pa probleme, pa radhë. Por nga personat që prisnin të vaksinoheshin kishte dyshime dhe kritika. Kritikat kishin të bënin me menaxhimin e vaksinave të administruara nga rajoni.

Që prej disa ditësh ishin telefonuar për t`u vaksinuar me Pfizer-in, mjekët dhe punonjësit e shëndetit social, nën moshën 55 vjeç. Mjekët dhe personeli shëndetësor kishte plotësuar formularët dhe kishin dhënë pëlqimin për t’u vaksinuar me vaksinën e treguar. Në vend të Pfizer-it, vaksina e administruar është AstraZeneca. Dallimi në mbulim është i konsiderueshëm.

Pas lajmit se nuk do të vaksinohen me Pfizer-in, disa nga pacientët largohen, ndërsa shumë nënshkruajnë pëlqimin e ri. “Stafi ishte i mirë, por problemi ishte se na kishin thirrur për një lloj specifik vaksine dhe këtë mëngjes vendosën të na jepnin një tjetër vaksinë, pa na paralajmëruar. Të paktën duhej të na thonin”, vazhdon më tej psikiatri dhe dentisti, Giusy.

“Nuk duam të krijojmë polemika. Duam vetëm drejtësi. Nëse ua bëjmë këtë pacientëve tanë do të kemi probleme. Disa kanë shkuar dhe unë i kuptoj ata”, shpjegon ai.

Ndërsa flasin, stafi mjekësor afrohet, tensioni rritet, shumë pacientë ende marrin vaksinën AstraZeneca.

“Vaksina e sotme është më e mirë se asgjë, por nuk është e drejtë, na thanë që ishte Pfizer”, shpjegon një nga personat që pret të vaksinohen.

Për punonjësit e kujdesit shëndetësor ishin të planifikuara 70% e dozave, 18% për personelin jo-shëndetësor, 11% për stafin dhe mysafirët e shtëpive të pleqve dhe më pak se 1% për njerëzit mbi 80 vjeç. Vetëm 3.6% e personave mbi 80 vjeç morën të paktën një dozë vaksine. Vetëm 2.2% kanë përfunduar të dyja dozat e vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore