Shqipëria

Romano Prodi vlerësohet nga Universiteti i Mjekësisë: BE të përshpejtojë procedurat e zgjerimit


Ish kryeministri italian Romano Prodi është vlerësuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Mjekësisë.

“Kam lidhje të fortë me Shqipërinë. Nisi në një moment tejet të vështirë. Nuk i harroj dot ato moment të vështira. Erdha dhe pashë Tiranën dhe kuptova se gjërat ndryshojnë. Mund të ndryshojnë. Merita ime më e madhe është që kam vendosur një marrëdhënie respekti dhe barazie, e jo varësie”, ka rikujtuar ai.

Prodi është ndalur edhe në punën e Bashkimit Evropian, nga i cili ka kërkuar përshpejtim të zgjerimit.

“Sot BE ka një ngërç me zgjerimin. Por unë e kam thënë se duhet një zgjerim i shpejtë dhe asokohe më kritikuan, por sot e kuptuan rëndësinë e zgjerimit pas agresionit rus”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, rektori Arben Gjata ka vlerësuar kontributin e tij në fushën e arsimit, duke u ndalur edhe në largimin e të rinjve.

“Është e vërtetë për të gjithë botën që ka një lëvizje të madhe të trurit nga një vend në vendin tjetër. Është e domosdoshme që ne të bëjmë gjithë përpjekjet që t’i mbajmë këtu tanët, bile të kemi mundësi të marrim dhe të tjerë të huaj”, ka thënë ai.

Me titullin “Doctor Honoris Causa” u nderua edhe ish-ministri italian i Arsimit, Fabrizio Bianchi.

Ai ka kërkuar nga të rinjtë që të shfrytëzojnë shkëmbimet studentore.

“Shqipëria po investon ne këto momente për edukimin, për arsimin e lartë. Është shumë e rëndësishme që shqiptarët të mund të studiojnë në universitete me cilësi të lartë këtu, por edhe duke ju bashkuar shkëmbimeve studentore jashtë shtetit”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore