Lajme

“Roma s’është ndërtuar për një ditë”


Shtatë rrëfime të bukura për 17 Shkurt, 14-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës:

Kosova e pavarur është realitet objektiv. Është plebishiti i përditshëm që konfirmon dëshirën e qytetarëve të saj për të marrë pjesë në këtë proces shtet-ndërtimi.

Kosova është edhe përpjekja e kamotshme për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Megjithatë, për shkak të trajektores së ngjarjeve politiko-historike, shqiptarët e Kosovës lexuan pavarësinë si kulmimin e realizueshëm të çlirimit të saj dhe rrugën e vetme për ta ruajtur esencën identitare të shqiptarëve të Kosovës brenda saj.

Rrjedhimisht është e vërtetë që pavarësia s’ishte ideali dhe amaneti që përbashkoi rezistencën; por, rrugës, u bë arsyeja dhe fundi i domosdoshëm për krijimin e një shteti, ku shqiptarët e Kosovës do t’i përgjigjeshin një thirrjeje për një Republikë gjithëpërfshirëse.

Pra, me mirëbesimin dhe solidaritetin që e karakterizon Kosovën, shqiptarët brenda saj mirëkuptuan nevojën e moskrijimit të një shteti përjashtues e monoetnik.

Kështu edhe kuptuan arsyen e krijimit të një identiteti përfshirës e solidar.

Përtej makthit të përjetuar në luftë dhe brutalitetit politik të Serbisë, shqiptarët e Kosovës nuk e panë shtetin e tyre gjithëpërfshirës si hapësirë hakmarrjeje ndaj komuniteteve etnike përbrenda saj.

Përkundrazi, bashkë me ndërgjegjen e heshtur që manifestohej si presion ndërkombëtar, Kosova bëri pikërisht të kundërtën. Ajo krijoi republikën e saj qytetare.

Ky shtet, i vogël, por me zemër të madhe, është shtet i shqiptarëve etnikë dhe të gjithë komuniteteve brenda saj.

Këto identitete etnike pikëpriten brenda një identiteti kombëtar politik – kosovar. Pra, jo kombin si zgjatim i etnisë, por kombin si projekt politik qytetar.

Ky realitet i Kosovës ngërthehet, përtej tensioneve të përditshme, në një vizion afatgjatë politik.

Kështu që, projekti i Kosovës shtet-qytetar përbrendëson mirë proverbin francez kushtuar Romës së Lashtë: “Roma nuk u ndërtua brenda një dite”.

Procesi i identitet dhe shtet-ndërtimeve është i gjatë dhe, jo rrallëherë, i vështirë.

Sidoqoftë, ky shtet që po ndërtojmë përditë, ka kuptim veçse si manifestim i shumë sub-kategorive identitare përbrenda preambulës së një shteti qytetar.

Pra, kosovarizmi nuk është identitet përjashtues. Është përqafues.

1- Këtë më së miri e dëshmojnë: Delia, Merjemi, Ajla, Lana, Nadili dhe Emeli – disa fëmijë të komunitetit boshnjak në Kosovë, që në çerdhen e tyre festojnë ditën e Pavarësisë së shtetit të tyre, Kosovës. Shtet ky që shqiptarët e kanë ndërtuar me shumë mund dhe e kanë konstituar si hapësirë politike që ruan integritetin e secilit qytetar të saj, pavarësisht përkatësisë etnike.

2- Është shteti që, pavarësisht themelit të saj patriarkal në nivel diskursiv, prapëseprapë provon të jetë konsiderues, integrues dhe progresiv në raport me të drejtat e gruas dhe domosdoshmërisë për të pasur barazi.

Kosova është vendi i grave të suksesshme.

Është vendi i Majlindës, Distrisë, Norës, Duas, Ritës, Vasfijes, Vjosës, Gresës, Elit, Nitës, Lindës dhe krejt grave që të përditshmen e luftojnë pabarazinë dhe diskriminimin inherent. Megjithatë, përtej kësaj, krejt këto gra marrin pjesë në të përditshmen në krijimin e këtij shteti qytetar e gjithëpërfshirës.

3- Kosova është shteti i fëmijëve të saj, të cilët u përulen heronjve të saj.

Kosova, ky vend që, për aq shumë kohë u turpërua nga këto simbole “lara-lara”, sot ka dhjetëra mijëra fëmijë që vrapojnë krenarë me flamurin e Kosovës mbi supe. Janë me dhjetëra-mijëra fëmijë, të cilëve u rrëmbushen sytë me lot kur shënon Rashica apo kur Rrahmani largon topin nga vija e golit.

Është vendi i të cilit flamuri i valon edhe në mes të Moskës, për shkak të Majlinda Kelmendit. Është flamuri që fillimisht e refuzuam, por tash pashmangshëm shumë e duam. Është flamuri që po merr kuptim përditë sa shtohen rrëfenjat e bukura për këtë vend.

4- Kosova është deklarata e pavarësisë së saj. Kosova është shteti i qytetarëve të saj. Kosova është vendi që, në këtë deklaratë pavarësie bashkëdyzohen bindjet e reja liberale me amanetin e kamotshëm për çlirim.

Kosova-shtet çliroi shqiptarët, dhe, njëtrajtshëm, krijoi një shoqëri ku idealisht të gjithë qytetarët e saj të mund të jetojnë të lirë.

5- Kosova është edhe motori i bacës Adem. Kosova sot, në inxhinieringun e saj politik e kulturor, udhëhiqet nga nevoja për të përmbushur amanetin që “bac, u kry” – po bëhet shteti.

Edhe baci që, në bazën e tij identitare e kishte kombin shqiptar, sot do të krenohej me shtetin e vogël, të lirë dhe dinjitoz kosovar. Normalisht që do të ishte kritik; por kritika si opozitar është trajtë e përditshmerisë politike. Jo kritike historiografike që shërben për të kuptuar kompleksitetin e trajektores së ngjarjeve historike.

Pakënaqësitë ditore nuk e zvogëlojnë magnitudën e suksesit që vjen në themelimin e këtij shteti shembull për rajonin. Krejt ky progres, në vetëm 14 vite shtet!

6- Kosova është edhe kombëtarja e saj.

Arena “Fadil Vokrri”, shtëpia e Dardanëve, është arena ku simbolet e shtetit të Kosovës filluan të përqafoheshin për herë të parë masovikisht.

Futbolli, paradoksalisht, mbolli farën e parë të krenarisë ndaj një projekti të ri të Kosovës si shtet qytetar.

U bë vendi ku familjet e qytetarëve të Kosovës shtjerrnin zërin e tyre, duke mbështetur djemtë dhe vajzat që mbanin mbi shpinë ngjyra për të cilat nuk kishim pasur ndjenja më parë.

Ajo mbështetje u kthye në vlerësim, respekt, dhe, dita-ditës, edhe dashni ndaj simboleve të këtij shteti.

7- Kosova është edhe vendi ku pikëtakohen kundërshtitë e gjeneratave.

Aty ku unë dhe vëllai im veshim fanellën e Kosovës, e babi të Shqipërisë. Aty ku shkundja e themeleve identitare ndodh brenda familjes dhe, pavarësisht dallimeve, mirëkuptimi gjendet pikërisht tek ideja se kosovarizmi im nuk është përjashtues ndaj shqiptarisë së tim eti.

Përkundrazi, Kosova ime e akomodon edhe shqiptarin e Maqedonisë, edhe të Malit të Zi, edhe të Preshevës dhe Bujanovcit. Kosova dhe, rrjedhimisht, kosovari është kushdo që do të ndihet i tillë.

Kosova është emërues i përbashkët identitar i krejt qytetarëve të saj. Por, absolutisht, jo i vetmi theksues identitar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore