Sport

Roma, Mourinho rikthen Kumbullën, nuk ka falje për të tjerët


Trajneri i Roma-s, Jose Mourinho, ka vendosur të thërrasë mbrojësin e Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla, për ndeshjen me Cagliari-n në Serie A.

Kumbulla, së bashku me Gonazlo Villar-in, Amadou Diawara-n, Bryan Reynolds-in dhe Borja Mayoral-in nuk u thirrën për ndeshjen e fundjavës me Napoli-n (0-0). Kjo për shkak se ata janë etiketuar si “shkaktarët” e dështimit të Roma-s në përballjen e humbur në shifrat 6-1 me Bodo/ Glimt-in në Conference League.

Në dallim nga pjesa tjetër, duket se për Kumbullën portugezi ka bërë prapakthim. Në këtë rast jo për ta shfajësuar, por nga nevoja, pasi stoli verdhekuq është i përbërë më së shumti me lojtarët e akademisë. Së paku, kështu raporton gazeta e përditshme italiane “Corriere dello Sport”.

Roma do të përballet me Cagliari-n këtë të mërkurë për javën e 10 të Serie A. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 20:45 në “Sardegna Arena”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore