Shqipëria

Roland Bejko mendon se i duhet Basha për të mundur Veliajn


Roland Bejko, kandidati zyrtar i Partisë Demokratike për të marrë drejtimin e Bashkisë Tiranë, beson forcërisht se mund ta mundë Erion Veliajn në garë, por për këtë, i duhet edhe ndihma e ish-kreut të demokratëve, Lulzim Basha.

Kështu e përkufizoi situatën aktuale Bejko, në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, ku foli edhe për fushatën e tij.

“Basha ka një rrjet brenda PD-së dhe në këtë rrjet ai ka mbështetje në Tiranë, sidomos tre kryetarët e degëve dhe te strukturat që kanë qenë”, përcaktoi fillimisht Bejko, lidhur me ish-drejtuesin e PD-së, i cili aktualisht është i tërhequr nga politika aktive, pavarësisht se ende është deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Ndër të tjera, kandidati demokrat për Bashkinë, mendon edhe se lidhur me përvojën si ish-kryetar bashkie, të cilën Basha e ka, janë bërë edhe disa konsultime, sa i takon një projekti të bazuar mbi të kaluarën dhe të ardhmen e Tiranës.

“Basha nuk është i shpallur ‘non grata’ dhe nuk është i akuzuar nga askush”, përforcoi Bejko më tej.

Mbi hyrjen në garë, ai ka treguar se është futur shumë seriozisht në të dhe për të fituar, e jo siç pretendon ish-kryeministri Sali Berisha, se Bejko i shërben vetëm Ramës, duke i marrë vota të nevojshme Belind Këlliçit në garë.

“Unë besoj se do fitoj, do kuptohem me qytetarët edhe pse është kohë e shkurtër”, e përmbylli ai fjalën, lidhur me kandidimin për qytetarin e parë të Tiranës në katër vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore