Lajme

Rohde: U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga përshkallëzimi


Jorn Rohde

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas zhvillimeve në veri, ku kryetarët e Komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit u asistuan nga Policia e Kosovës për tu vendosur në zyrat e tyre.

Rohde përmes një cicërime në Twitter tha se “ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga përshkallëzimi”.

“U bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in”, shkroi ai në Twitter.

Këto komente ai i bëri pasi shpërndau postimin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, për të cilin tha se jam “plotësisht dakord”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter kishte reaguar në orët e pasdites pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Top-diplomati amerikan dënoi veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës.

Sipas tij masat dhunshme të autoriteteve kosovare duhet të ndërpriten menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në Veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ndryshe, në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore