Kosova

Rohde: Absurde të përshkallëzohet situata për targat


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është absurde që të rrezikohet përshkallëzimi i situatës për shkak të targave.

Ky reagim i ambasadorit vjen pas mos arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

“Mirë që kemi më tepër kohë për të punuar me palët e interesuar për gjetjen e zgjidhjes. E përsëris, është absurde të rrezikohet përshkallëzimi për targat”, deklaroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mesnatën e së martës ka vendosur që të shtyjë vendimin për targat për 48 orë.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.

Ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte nga ora 8:00 e së martës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore