Pajisje

Roboti i vizitorëve në shpellën greke


Në Greqi, Persephone është një udhërrëfyes i lezetshëm turistik, por ndoshta jo tipi që njerëzit janë mësuar të shohin.

Agjencia e lajmeve, “Daily News”, tregon se roboti i njohur si udhërrëfyesi i parë i tillë në botë brenda një shpelle, ka mirëpritur vizitorë që nga mesi i korrikut në Shpellën Alistrati në Greqinë veriore.

Roboti shumëgjuhësh mbulon 150 metrat e parë të pjesës së shpellës që është e hapur për publikun. Kurse në 750 metrat e mbetura, një udhëzues njerëzor i udhëzon ata.

Ai u quajt Persephone sepse referuar një versioni të mitit të lashtë grek, ishte në një rrafsh të afërt që Plutoni, perëndia e nëntokës, i njohur edhe si Hades, rrëmbeu Persefonin, me pëlqimin e babait të saj Zeusit, për ta marrë për grua.

Persephone mund të sigurojë pjesën e vet të turneut në 33 gjuhë dhe të ndërveprojë në një nivel bazë me vizitorët në tre gjuhë. Gjithashtu mund t’i përgjigjet 33 pyetjeve, por vetëm në greqisht.

Nikos Kartalis, drejtori shkencor për Alistrati-n, ishte ai që kishte idenë e krijimit të robotit kur pa një në televizor teksa udhëhiqte vizitorët në një galeri arti.

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, “ne morëm fondet tona dhe udhëzuesi robot u bë realitet”, ka treguar Kartalis.

“Daily News” shkruan se roboti u ndërtua nga Fondacioni Kombëtar i Teknologjisë dhe Kërkimit dhe kushtoi 118 mijë euro.

“Ne tashmë kemi një rritje prej 70 për qind të vizitorëve në krahasim me vitin e kaluar që kur filluam të përdorim robotin”, ka zbuluar Kartalis.

Ai ka vënë në dukje se “njerëzit janë entuziastë, veçanërisht fëmijët, dhe njerëzit që kishin vizituar në të kaluarën po kthehen për të parë udhëzuesin robot”.

“Është diçka e paparë për ta, të kenë aftësinë për të bashkëvepruar me robotin e tyre duke i bërë pyetje dhe roboti duke iu përgjigjur atyre”, ka shtuar ai.

Roboti lëviz përgjatë një vendkalimi, duke kaluar nëpër një peizazh të zbukuruar të stalaktiteve dhe stalagmiteve. Këto formacione të larmishme mund të arrijnë 15 metra lartësi dhe shihen në të gjithë shtegun gati një kilometër të shpellës, i cili është i arritshëm për njerëzit me lëvizshmëri të kufizuar.

“Kjo shpellë është një nga më të bukurat, jo vetëm në Greqi, por edhe në Evropë”, ka thënë Kartalis.

“Ka stalaktite dhe stalagmite në shumë forma dhe ngjyra, madje edhe të kuqe”, ka dalluar ai.

Kartalis ka vijuar se shpella ishte tre milionë vjet e vjetër dhe u eksplorua për herë të parë në vitin 1974 nga Shoqëria Speleologjike Helene dhe një ekip speleologësh austriakë. Dhe u hap për vizitorët në vitin 1998.

Persephone, me një trup të bardhë, kokë të zezë dhe dy sy të ndritshëm, lëviz me rrota, duke i udhëhequr vizitorët në tre nga tetë ndalesat e para përgjatë vendkalimit.

Ai mund të bëjë edhe dy ndalesa të tjera, por shpejtësia e ulët ngadalëson turneun, i cili zhvillohet në tre gjuhë njëkohësisht.

Kështu që krijuesit e Persefones po shqyrtojnë mënyra për ta shpejtuar atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore