Lajme

Roboti i shahut thyen gishtin e kundërshtarit shtatë – vjeçar


Një turne shahu në Moskë të Rusisë u bë i dhunshëm pasi një krah robotik që luante shah theu gishtin konkurrentit të tij shtatë vjeçar, javën e kaluar, raportoi e përditshmja “The Guardian”.

Videoja e cila ka qarkulluar në mediat sociale tregonte gishtin duke u shtypur nga krahu robotik për disa sekonda përpara se katër të rritur të nxitojnë për ta ndihmuar djalin, i cili përfundimisht lirohet dhe largohet.

Pas incidentit, reagime pati edhe nga presidenti i Federatës së Shahut në Moskë, Sergey Lazarev, i cili tha për agjencinë e lajmeve “TASS” se “roboti theu gishtin e fëmijës, dhe sigurisht kjo është një gjë e keqe”.

Ndërkaq, Sergey Smagin, nënkryetar i Federatës Ruse të Shahut, e justifikoi robotin duke thënë se në vend që të priste që makina të përfundonte lëvizjen e saj, djali zgjodhi një kundërpërgjigje të shpejtë.

“Ka disa rregulla sigurie dhe fëmija, me sa duket, i ka shkelur ato. Kur bëri lëvizjen e tij, ai nuk e kuptoi se së pari duhej të priste”, tha Smagin. “Ky është një rast jashtëzakonisht i rrallë, i pari që mund të kujtoj”, shtoi ai.

Djali i quajtur Christopher ishte një nga 30 shahistët më të mirë në kryeqytetin rus në kategorinë nën nëntë vjeç.

“Njerëzit nxituan për të ndihmuar dhe nxorrën gishtin e lojtarit të ri, por fraktura nuk mund të shmangej”, thuhej në njoftimin e bërë nga Federata.

Lazarev i tha “Tass” se Christopher, gishti i të cilit ishte vendosur në një gips, “nuk dukej shumë i traumatizuar nga sulmi”.

“Fëmija luajti të nesërmen, përfundoi turneun dhe vullnetarët ndihmuan për të regjistruar lëvizjet”, tha ai.

Megjithatë, prindërit e tij, thuhet se kanë kontaktuar zyrën e prokurorit publik.

“Ne do të komunikojmë, do ta kuptojmë dhe do të përpiqemi të ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi”, tha ai.

Smagin gjithashtu bëri të ditur se incidenti ishte “një rastësi” dhe roboti ishte “absolutisht i sigurt”.

Makina, e cila mund të luajë disa ndeshje në të njëjtën kohë dhe thuhet se kishte luajtur tashmë tre në ditën kur u takua me Christopher, ishte “unik”, tha ai. “Ka performuar në shumë hapje. Me sa duket, fëmijët duhet të paralajmërohen. Është diçka që ndodh”.

Nga ana tjetër një mjeshtër i madh rus, Sergey Karjakin, tha se incidenti ishte pa dyshim për shkak të “një lloj gabimi softuerësh apo diçkaje tjetër”, duke shtuar: “kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ka aksidente të tilla. I uroj djalit shëndet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore