Kosova

Robotët kanë filluar ta zëvendësojnë fuqinë punëtore në Kosovë?


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna. Foto: Radio Evropa e Lire.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, deklaroi se shumë biznese prodhuese në vend kanë qenë të detyruara që të blejnë pajisje të automatizuara, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore.

Madje ai ka përmendur shembullin që një kompani e prodhimit të karrigeve ka blerë tre robotë për t’i zëvendësuar katër punëtorë që kishte.

“Shumica e bizneseve për shkak të fuqisë punëtore, janë detyruar të riorganizohen. Kur them riorganizim e kam fjalën se kanë qenë të detyruar të blejnë pajisje të cilat janë të automatizuara, që të mos varen shumë nga fuqia punëtore”, deklaroi Rafuna për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Rafuna, ka përmendur edhe disa nga arsyet se përse kanë ardhur deri tek këto rezultate.

“Kjo ka ardhur edhe si rezultat e ngritjes së cilësisë së prodhimit, ngritjes së standardit, por ka ardhur më shumë si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore. E vizitova një prodhues tonin të karrigeve. Ai më tregoi se ka pasur katër punëtorë fizikë që kanë ngjyrosur në mënyre mekanike ndërsa tani ka sjellë tre robotë që e bëjnë ngjyrosjen e karrigeve”.

“Domethënës ai më nuk është i varur prej fuqisë punëtore fizike se atë punë ia kryejnë robotët. Kështu që kjo i ka shtyrë bizneset që të riorganizohen dhe sa më lehtë ta kalojnë mungesën e fuqisë punëtore”.

Sipas tij, shtrenjtimi i energjisë elektrike ka qenë sfidë kryesore me të cilën po përballën bizneset bashkë me mungesën e fuqisë punëtore.

“Frika ka qenë gjatë periudhës së dimrit se a do të ketë energji elektrike dhe se a do të rritet çmimi. Askush nuk e ka pritur që në pranverë, kur pritet ngritja e temperaturave dhe rënia e konsumit, të rritet çmimi i energjisë elektrike. Sfida e dyta për prodhuesin është mungesa e fuqisë punëtore, e kualifikuar dhe e pakualifikuar. Sfida e tretë, duhet më shumë subvencionime nga ana e Qeverisë”, tha Rafuna.

Kah po shkojnë kosovarët?

Në vitin 2021, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.

Sipas ASK-së, emigrimi është bërë për arsyeje të bashkimit familjar, martesë, gjetje e një vendi të punës dhe studime afatgjata.

Edhe në vitin 2020, atëherë kur në Kosovë kishte shpërthyer pandemia COVID-19, nga Kosova kishin emigruar mbi 8 mijë persona, në vitin 2019 mbi 34 mijë dhe në vitin 2018 mbi 28 mijë.

Destinacionet më të synuara të kosovarëve janë vendet e Bashkimit Evropian, por edhe SHBA-ja, Turqia dhe Kanadaja.

Të papunët kanë ikur moti, tash po ikin punëtorët

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore