Sport

Robben tërhiqet për herë të dytë nga futbolli aktiv


Arjen Robben, ish-ylli i Bayern Munich-ut është tërhequr për herë të dytë nga futbolli aktiv. Ai u tërhoq për herë të parë në vitin 2019, kur u largua nga Bayern-i, por pas një viti u rikthye përsëri duke nënshkruar me Groningen-in.

Holandezi 37-vjeçar në sezoin e fundit arriti të luante vetëm shtatë ndeshje me Groningen-in, ku dhuroi dy asiste. Pjesën më të madhe të sezonit ai e humbi për shkak të dëmtimeve të shumta që pësonte.

Robben-i njoftoi largimin nga futbolli nëpërmjet një statusi në profilin e tij të Instagram-it, ku shkruante “Të dashur miq të futbollit, unë kam vendosur të përfundoj karrierën time aktive në futboll”.

“Ishte vendim shumë i vështirë. Unë do të doja të falenderoja të gjithë për mbështetjen e tyre ngrohesë”, vijonte më tej shkrimi i ish-anësorit të Kombëtares së Holandës.

Robben-i në karrierën e tij ka pasur suksese të mëdha, pasi ka fituar tetë herë Bundesligën, pesë Kupa të Gjermanisë, dy Premier Liga dhe Ligën e Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore