Lajme

Rizvanolli: Situata me energjinë pritet të rëndohet në tri ditët e ardhshme


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, teksa ka folur për furnizimin me energji eleketrike në Kosovë, ka thënë se situata mund të jetë më e rënduar gjatë ditëve në vijim.

“Një bllok i Kosovës B detyrimisht duhet të ndalet për të bërë riparime. Në tri ditët e ardhshme pritet që situata të jetë edhe më e rënduar”, tha Rizvanolli.

“Kemi pasë një situatë relativisht të mirë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore”.

“Prej momentit kur ka filluar kriza të prekë vendet e rajonit e kemi përcjellë situatën. Kërkesat për subvencione janë të mëdha, me dhjetëra milionë euro. Po i shikojmë hapat e ardhshëm që efektet te konsumatorët, te buxheti, por edhe te financat publike të jenë sa më të ulëta. Kemi angazhuar një ekspert gjerman nga GIZ për intervenime më kreative që do të ndikonte në uljen e kërkesës për subvencione”.

Ajo theksoi se ka zhvilluar takime me homologët e saj nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për mundësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrës.

“Një ndër sfidat kryesore që po përballen vendet jo vetëm të rajonit, por edhe të botës, është kriza energjetike si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit në tregjet globale”, potencoi ajo.

“Ka disa muaj që ka prekur rajonin dhe shumica e vendeve të rajonit janë më të prekura sesa ne. Shqipëria ka disa muaj që është prekur sepse ka importuar më shumë energji. Po ashtu, edhe Maqedonia është prekur thellësisht”, potencoi ajo.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, të hënën e 13 dhjetorit u shpreh që “eshtë e vërtetë që po blejmë shtrenjtë e po shesim lirë energji elektrike dhe pa një afat të caktuar”, duke e cilësuar kështu si një krizë që pritet të ballafaqohet Kosova.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore