Zgjedhjet në Kosovë

Rivotimi në Hanin e Elezit – PDK do të ankohet në Gjykatën Supreme


Partia Demokratike e Kosovës-PDK

Pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e zgjedhjeve në Komunën e Hanit të Elezit dhe çuarjen e kësaj komune në rivotim, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dal me një deklaratë ku thuhet se vendimi i PZAP-së është i pashembullt dhe cenon demokracinë.

PDK konsideron se PZAP-ja ka bërë përpjekje për të “anuluar vullnetin e mijëra votuesve në Han të Elezit për kandidatin e PDK-së”.

Ankesa e cila dërgoi deri tek marrja e vendimit sipas PDK-së është e “pa afatshme” dhe se “nuk ka përmbajtur asnjë ankesë të qytetarëve, të asnjë vëzhguesi apo komisioneri”.

“Në bazë të të dhënave nga KQZ, në librat e votimit nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe mbi këtë bazë të rregullt, kundër kandidati ia ka uruar edhe fitoren kandidatit të PDK-së”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa lidhur me pretendimet e parashtruesit të ankesës (Rufki Suma) se në qendrat e votimit të cekura në ankesë, sipas ankuesit, “iu është bërë presion votuesve për të votuar PDK-në”, sipas kësaj të fundit janë të pabaza dhe janë krejtësisht të pavërteta.

“Pretendimet për presion ndaj votuesve nuk kanë asnjë mbështetje në prova apo dëshmitarë”.

“Nga sa kemi përcjellë mbledhjet e KQZ-së, gjatë gjithë ditës së votimit e deri në mbyllje të procesit, Dhoma operative në kuadër të KQZ-së, ku bën pjesë Policia, Prokuroria dhe Zyrtari i KQZ-së, nuk ka pranuar asnjë informacion që nga mëngjesi deri në mbyllje të vendvotimeve lidhur me pretendimet e kandidatit të pavarur, Rufki Suma”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

Mehmet Ballazhi- Kandidati i PDK-së në Han të Elezit

Ky subjekt politik gjithashtu ka vë në pah edhe vëzhgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve, të cilët procesin zgjedhor e konsideruan si të rregullt, demokratik dhe shembull në rajon.

“Asnjë OJQ nuk raportoi diçka të tillë dhe asnjë medie e qytetar nuk shprehen pakënaqësi për zgjedhjet në Han të Elezit”.

“Prandaj, përpjekjet për ta lënduar procesin me ndërhyrjet e tilla janë të papranueshme”.

PDK ka deklaruar se do të bëj ankesë brenda afatit ligjor në Gjykatën Supreme, ndaj “këtij vendimi të pashembullt të PZAP-së”.

KQZ: Këshilla juridike lejon ankesën në Gjykatën Supreme

Ndërsa sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se ka këshillë juridike e cila lejon ankesën në shkallën tjetër, pra në Gjykatën Supreme.

“Në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rivotim për Kryetar Komune në Han të Elezit, në të gjitha qendrat e votimit të kësaj komune, ka këshill juridike sipas të cilës lejohet ankesa në Gjykatën Supreme”.

Sipas Elezit, KQZ do të pret që “palët t’i shterojnë mundësitë brenda afateve të përcaktuara ligjore, para se të bëjmë deklarime të tjera”.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Suma me ankesë për kundër kandidatin për presion ndaj votuesve

Kurse kryetari aktual i Hanit të Elezit, Refki Suma i cili i kishte hy garës edhe për një mandat, për Albanian Post lidhur me ankesën e tij ka thënë se është ankuar në PZAP, pasi që kundër kandidati i tij, Mehmet Ballazhi nga PDK kishte thyer ligjin zgjedhor pikërisht në ditën e zgjedhjeve.

“Ne kemi bërë një ankesë dhe kemi njoftuar PZAP-në se kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi, ditën e votimeve ka hy në të gjitha qendrat e votimit dhe në të gjitha vendvotimet, gjë që e ka të ndaluar ta bëj”.

Suma për Ballazhin thotë se ditën e zgjedhjeve, gjatë tërë ditës kishte “vizituar të gjitha vendvotimet bashkë me disa kandidat për këshilltarë, kinse për t’i vizituar”.

Refki Suma

Suma për Albanian Post ka thënë se ka njoftuar organet kompetente lidhur me rastin.

“Ditën e zgjedhjeve ne kemi njoftuar edhe PZAP-në edhe Policinë e Kosovës”.

Suma beson se do të jetë fitues i zgjedhjeve ditën kur do të zhvillohen ato.

“Besoj që ndryshon në favorin tim, sepse përqindja e diferencës është shumë e vogël, rreth 1% e votave”.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, Komuna e Hanit të Elezit kishte shkuar në balotazh mes kandidatit të PDK-së, Mehmet Ballazhi dhe kryetarit aktual, Refki Suma si kandidat i pavarur.

Rezultati për kryetar ishte si në vijim:

Ndërsa rezultati për asamble komunale ishte:

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore