Sport

Rivalitet, miqësi, tri-cikël: McGregor vs Poirier 3


Për ish-yllin dhe fytyrën e UFC-s (kampionati Kulmor i Luftimit) Conor McGregor, ky ritakim dhe njëkohësisht përmbushja e trilogjisë me Dustin Poirier, është më shumë se sa një mundësi për revansh. Ata janë 1 – 1 deri më tani:

E diel 28 shtator 2014, UFC 178

McGregor dhe Poirier ishin pjesë e edicionit 178 të UFC-s, por nuk ishin në krye të listës. Mbrëmjen e asaj dite ndeshej një ndër talentet më të mëdhenj që ka mirëpritur ndonjëherë UFC-ja brenda kafazit tetëkëndor – Demetrious Johnson, i cili ndeshej me Chris Cariaso.

Irlandezi në atë kohë kishte nisur gjuetinë për titullin e kampioni të botës në peshat e lehta, por ishte ende larg pikut që arriti më vonë në UFC.

Majtas dhe gati të lëshojë serinë e grushteve, McGregor – djathtas Poirier duke u mbrojtur në menyrë perfekte
Që nga fillimi i ndeshjes e deri në minutën 01:46 të raundit të parë kur McGregor e rrëzoi mbi kanavacë Poirier-in, ndeshja u diktua nga presioni i vazhdueshëm me dhe kombinimet e shkurtra por mjaft të efektshme e agresive të irlandezit.
Momentet pas nokautit rrufe – arbitri sinjalizon përfundimin e ndeshjes, McGregor largohet ndërsa le mbi kanavacë Poirier

Ndeshja kundër Poirier ngurtësoi aftësitë atletike dhe reflekset vrastare të McGregor-it brenda UFC-s, deri sa u bë kampion e më tej.

Dy vjet më vonë, 12 nëntor 2016, McGregor ndeshet me kampionin e asaj kohë në peshat e lehta, Eddie Alvarez, në ediconin 205 të UFC-s. Ndeshje të cilën e fitoi në minutën 03:04 të raundit të dytë me nokaut. Një kombinim grushtesh me shpejtësi rrufeje para dhe pas koke, nëpërmjet të cilit me po aq shpejtësi, gjeti Alvarez-in të turbullt dhe të rrëzuar mbi kanavacë. Kombinim rrallë-herë i parë në kornizën e arteve marciale mikse.

Pas atij momenti, McGregor “shkroi” rrëfimin e ri historik në faqet e UFC-s; luftëtari i parë që arrin të shpallet kampion në dy kategori të ndryshme – peshat pupël (featherweight) dhe peshat e lehta.

24 janar 2021, UFC 257

Shtatë vite më vonë McGregor dhe Poirier ritakohen. Që pas asaj humbje të turpshme kundër dagestanezit Khabib Nurmagomedov në minutën 03:03 të raundit të katërt, McGregor-i nuk ishte më i njëjti. Dalëngadalë irlandezit po i shuhej drita e lavdishme me të cilën karakterizohej dhe që e ka veçuar për një kohë të gjatë.

Nyja e llahtarshme e Nurmagomedov dëshmon se si e çarmatosi tërësisht McGregor-in

Atë dritë e veshi më vonë Nurmagomedov dhe mbretëroi në kategorinë e peshave të lehta. Nurmagomedov u tërhoq nga gara e UFC-s si kampion me rekord absolut (29 – 0 – 0) dhe, padyshim u bë një ndër luftëtarët më të mirë të historisë së arteve marciale mikse – jo vetëm në UFC.

Sidoqoft, Poirier dhe McGregor e pushtuan listën e eventeve të edicionit 257 të UFC-s. Ata zunë ballinën dhe tifozët nuk deshin të shihnin askënd tjetër veç tyre.

Kësaj radhe ishte Poirier ishte ai që dominoi duelin midis tyre. Poirier i tregoi McGregor-it rëndësin e pozicionimit të paformë në kafaz dhe efektshmërinë e goditjeve me elegancë dhe strategji.

Ndërkohë që McGregor nuk kishte implementuar ndonjë risi në strategjinë e tij, pra, sërish avanconte duke i ardhur fare afër Poirier-it, në mënyrë që ta frustronte psikologjikisht dhe të futej në grackën e lojës që vetëm McGregor di ta luajë më mirë nga të gjithë; kundër-goditjet – Poirier ishte i vendosur t’ja priste këmbën.

Një seri goditjesh thumbuese me shkelm në pjesën fundore të këmbës së iralndezit, shkatërruan përfundimisht çdo përpjekje për t’ia zënë frymën Poirier-it, si dhe për ta goditur fort.

Momente diskutimi midis Poirier dhe McGregor pak kohë pasi arbitri njoftoi përfundimin e ndeshjes

Tani po flasim për një McGregor që i dhëmb këmba dhe nuk arrin dot të godas fort për shkak të mungesës së stabilitetit. Poirier nuk u shpërqëndrua për asnjë moment dhe kreu detyrën deri në fund. Nuk ngurroi t’i kujtoi McGregor-it rëndësinë e strategjisë, gjakftohtësisë, mbrojtjes elitare (karakteristike e Poirier) dhe boksit po aq elitar në mos më shumë.

Ja ku janë tani – dy legjenda në botën e të gjallëve: stile të ndryshme, mendësi e njejtë. Forma të ndryshme, pesha të njëjta. Lakmi për lavdi por rrugë krejtësisht të ndryshme. Talente të ngjashme por, temperamente diametralisht të kundërta.

Mund të thuhet në një farë mënyrë që “Conor” e plotëson “Dustin” dhe “Mcgregor” mësoi shumë nga “Poirier”.

Tani është koha të mbyllet cikli i marrëdhënies McGregor – Poirier. Tani është koha për luftë ose për vdekje.

Edicioni i 264 i UFC, pret duelin më të kërkuar sot. 10 korrik 2021 – Mcgregor vs Poirer 3.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore