Shqipëria

Rita Ora shfaqet mahnitëse në Sheshin Skënderbej


Tepër e emocionuar dhe rrëzëlluese si gjithnjë është shfaqur këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora, në skenën e Sheshit Skënderbej, ku e përlotur ka falënderuar të gjithë të pranishmit, të cilët janë mbledhur për ta ndjekur në performancat e saj.

“Jam shumë e emocionuar, që keni dalë për mua këtu sot”, tha Ora me lot në sy sapo është ngjitur në skenë.

Me një veshje gjysmë transparente të zezë, ku pjesë përbërëse kanë edhe motivet popullore shqiptare, Ora dhe trupa e saj e saj e baletit kanë elektrizuar gjithë të pranishmit që në fillim të koncertit muzikor, i cili ka mbledhur me mijëra qytetarë në shesh.

Një mesazh për prejardhjen e saj nuk mund të mungonte kurrsesi nga ana e artistes, e cila ndër vargjet e këngëve të saj, ka shtuar edhe fjali të tipit “Kosovo in my veins”.

E gjithë turma e pranishme e ka pritur Orën me brohorima të mëdha, ku nuk kanë munguar shoqërimet a capella të këngëve të saja hit.

Ndër mesazhet e tjera kryesore të artistes, kanë qenë edhe ato kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave, frymëzuar edhe nga ndodhia e 11-vjeçares së përdhunuar nga pesë burra në Prishtinë, e cila ngriti në këmbë mbarë shqiptarinë në mbështetje të të drejtave gjinore.

Teksa në mbyllje, nuk ka munguar as një spektakël fishekzjarrësh, për të kulmuar klimaksën që Ora solli për publikun shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore