Shqipëria

Rita Ora nderohet me titullin “Naim Frashëri”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekoroi të hënën e 5 shtatorit me Titullin “Naim Frashëri” artisten e mirënjohur Rita Ora.

Kjo, me motivacionin “Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit”.

Rita Ora u vlerësuar edhe për rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale.

“Jam i sigurt se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë”, u shpreh fillimisht Begaj.

Në ceremoninë e dekorimit ishin pjesëmarrës familjarë, miq, të ftuar dhe përfaqësues diplomatik.

“Më lejo të shpreh konsideratën time për të gjithë përkushtimin tënd për artin dhe kulturën. Njëkohësisht, gjej rastin të inkurajoj që të sjellësh për botën, por edhe për kombin tonë shembullin se si arti, vendos ura komunikimi në të gjitha dimensionet, bashkon njerëzit dhe shëron zemrat”, shtoi kreu i shtetit.

Sipas tij, zëri i këngëtares me origjinë shqiptare, jo vetëm e ka pasuruar fondin e muzikës botërore, por është një zë i fuqishëm edhe në shumë kauza sociale e kulturore.

Këto të fundit, nënvizoi Begaj, ndihmojnë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë.

Kujtojmë që ky ishte nderimi i parë i mandatit të Begajt në Presidencën shqiptare.

Bajram Begaj nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit.

Kjo, pa miratimin e një organi të ri kompetent, që do të jetë Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve.

Kështu parashikon projektiligji i ri për dekoratat në Shqipëri i hartuar nga qeveria.

Autoritetet qeveritare kanë vendosur që të kufizojnë me ligj numrin e dekoratave që do të jepen nga Presidenti i Republikës brenda një viti.

Konkretisht, presidenti nuk mund të dekorojë çdo vit pa propozim paraprak të autoriteteve përkatëse, më shumë se sa 10 për qind të numrit të përgjithshëm të dekoratave të të gjitha kategorive që mund të jepen brenda vitit.

Numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet është rreth 230.

Dekoratat që do të japë presidenti mbi këtë numër, kushtëzohen me dhënien e miratimit nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila do të ngrihet me urdhër të kryeministrit Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore