Lajme

Ristuccia viziton ushtarët e plagosur italianë në Zveçan: Ndihuni krenarë për atë që keni bërë, parandaluat viktima civile


Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, ka vizituar 11 ushtarët italianë të KFOR-it, të cilët janë plagosur më 29 maj në Zveçan nga protestuesit serb.

“Jini krenarë për atë që keni bërë, keni vepruar në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke u ndërhyrë mes dy palëve të kundërta dhe duke parandaluar një përplasje që sigurisht do të kishte çuar në një numër të madh viktimash civile. Duke ju uruar shërim të shpejtë, jam krenar që jam komandanti juaj”, tha Ristuccia, ka njoftuar zyra për media e KFOR-it.

Ndryshe, Ristuccia, komandant i kontingjentit të KFOR-it, është ndoshta njeriu më i ngarkuar në Kosovë gjatë orëve të fundit.

Rrëfimi i tij për gazetën italiane “La Repubblica” të merkurën nisi me garancinë se asnjë ushtar i lënduar i KFOR-it nuk gjendet në rrezik për jetën.

“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën e 29 majit. U gjendem pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villagio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”.

Ndërtesa komunale e Zveçanit u kthye në një sallë operative me një situatë jashtëzakonisht të paqëndrueshme, tha Ristuccia.

Ai madje e përdor këtë term me vetëdije, kur përshkruan se si situata mund të ndryshojë papritur në një periudhë shumë të shkurtër kohore.

“Të hënën kisha paracaktuar një kontingjent të madh ushtarësh në katër komunat me shumicë serbe për përurimin e kryetarëve të komunave shqiptarë të Kosovës të zgjedhur së fundmi”, kujton ushtaraku italian.

I gjithë ky rrezik që nënvizon Ristuccia lidhej me faktin se kryeministri Albin Kurti vendosi të vazhdojë me inaugurimin pavarësisht protestave të serbëve dhe dyshimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

“Sot do të mbahej ditë zie për të vdekurit, po mos të ishte KFOR-i”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore