Shqipëria

Ristrukturimi i PD-së do të nisë pas 14 majit, sipas Bardhit


Grupimi i Enkelejd Alibeajt do të ketë një seli më vete për organizimin e strukturave. Aksion si ai i Sali Berishës për të marrë godinën nuk do të ketë dhe ristrukturimi i Partisë Demokratike, do të nisë pas zgjedhjeve të 14 majit.

Këto janë pohimet e deputetit demokrat Gazment Bardhi, i cili i ftuar në një intervistë televizive në Radio Televizionin Shqiptar, i ka bërë me dije hapat politikë që grupimi i Alibeajt (juridikisht zyrtar i PD-së), do të marrë në vijim.

Rikthim në selinë e njohur tashmë të PD-së, nuk do të ketë sipas tij, deri në çastin kur Berisha të vlerësojë respektimin e vendimeve të Gjykatës së Tiranës, lidhur me çështjen e vulës.

“Në kushtet kur njëra palë nuk ka ndërmend të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit, ne nuk mund të përsërisim atë që bëri zoti Berisha në 8 janar, të nxisim një luftë mes demokratëve”, bëri me dije Bardhi në intervistë.

Ai garantoi se masat janë marrë për të pasur një godinë të re, ku do të ushtrojë funksionet PD-ja, deri në çastin kur Berisha të vlerësojë vendimin e Gjykatës.

Po ashtu, pohoi se do të ketë realisht një proces ristrukturimi të së djathtës, por kjo do të ndodhë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Këtë proces riorganizimi, ai shtoi se preferon ta shohë si të të gjithë demokratëve dhe të pandarë në grupime, pavarësisht se i tillë nuk duket të jetë.

“Gjykoj që PD nuk duhet të jetë e ndarë në pjesë, por të gjithë bashkë duhet të bëjmë të mundur për të pasur një Parti Demokratike jo vetëm me të gjithë anëtarët e saj, siç ka qenë në këto 32 vite”, shtoi ai, duke nënvizuar faktin se partia duhet të hapet edhe më tej dhe të thithë individë të rinj.

E gjitha, për të forcuar më tej kauzën e tyre dhe për të qenë një alternative e denjë qeverisëse, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat mbahen në vitin 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore