Aplikacione

Ristrukturimi i Ant Group nga rregullatorët kinezë


Rregullatorët kinezë kanë urdhëruar Ant Group të ndërpresë lidhjet e papërshtatshme midis platformës së saj të pagesave dhe produkteve të saj financiare.

E përditshmja, Financial Times, tregon se masa e marrë mund ta zhvendosë kompaninë në një platformë të pagesave nëpërmjet telefonit dhe të dobësojë bizneset e saj të kreditit.

Vetëm 36% e të ardhurave të kompanisë aktualisht vijnë nga shërbimet e saj të pagesave. Ndërkohë pjesa e mbetur e përqindjes vjen nga financat digjitale.

Njoftimi i ardhur nga Banka Popullore e Kinës hedh dritë mbi pasiguritë e kompanisë që nga muaji nëntor kur Pekini ndaloi ofertën fillestare publike të grupit në Shanghai. Kjo disa ditë para se të vendosej për të mbledhur një rekord prej 37 miliardë dollarësh.

Njoftimi erdhi gjithashtu disa ditë pasi Alibaba, grupi që zotëron një aksion prej 33% në Ant, u gjobit me 2.8 miliardë dollarë nga rregullatorët kinezë të antitrustit mbi kufizimet e vendosura ndaj tregtarëve në platformën e saj të tregtisë elektronike.

“Qëllimi është të kufizojmë natyrën financiare të aktiviteteve të Ant-së dhe ta kthejmë atë në origjinë si një platformë pagese. Do të ketë një ndikim të madh në shtypjen e bizneseve të huazimit të kredisë konsumatorë të Ant-së”, ka thënë një zyrtar i lartë i bankës.

Ndërkohë profesori i financave në Universitetin e Renminit në Kinë, Zhao Xijun, ka thënë se “planet do ta detyrojnë Ant-në të rikonstruktojë plotësisht biznesin” duke shtuar se “sipas planit të korrigjimit, ata do të vendosin mure midis bizneseve të tyre të ndryshme dhe secili prej tyre do të jetë nën rregullimin e industrisë së tij specifike”.

Xijun nuk ka mohuar faktin se ndikimi i këtij plani mund të jetë i madh për Ant-në.

Rregullatorët kanë zhvilluar edhe një takim me kompaninë për t’i “kërkuar grupit Ant të përballet me problemet e rënda ekzistuese në aktivitetin e saj të biznesit financiar dhe seriozitetin e punës së saj të korrigjimit”, është shprehur zëvendësguvernatori i bankës, Pan Gongsheng.

Ai ka sqaruar se përpjekjet rregulluese për të forcuar mbikëqyrjen po bëhet për të zvogëluar rrezikun financiar dhe për të përmirësuar mbrojtjen e të dhënave dhe masat antimonopol.

Nga ana tjetër, vetë kompania ka thënë se “nën drejtimin e rregullatorëve financiarë, Ant Group nuk do të kursejë asnjë përpjekje në zbatimin e planit të korrigjimit…ne do të vendosim rritjen tonë në mënyrë proaktive brenda kontekstit kombëtar strategjik”.

Gjithashtu rregullatorët kanë kërkuar që kompania të aplikojë për një licencë personale të raportimit të kredisë. Kjo konsiderohet si një lëvizje e re në sektorin e vlerësimit të kredisë në Kinë ku dy licencat ekzistuese janë të mbrojtura nga agjencitë e mbështetura nga qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore