Lajme

Rioshja indiane që zgjodhi të martohej me veten


Ajo dallon nga nuset e tjera paçka se është veshur ngjashëm si një e sapomartuar.

Kshama Bindu nuk është martuar me askënd… është martuar me veten.

“Njerëzit më shikojnë çuditshëm. Sikur të kisha kryer një krim”, ka treguar e reja.

“Sologamia” e saj u kthye në sensacion nëpër media sociale gjatë muajit të kaluar, duke e shpallur atë si indianen e parë që përfshihet në një praktikë të tillë.

Për të, ideja e sologamisë lindi vetëm tre muaj para dasmës së saj pasi pa shfaqjen e Netflix-it, “Anne With An E”, një histori e një vajze të re jetime që duroi abuzimin gjatë fëmijërisë së saj.

Kështu, prej misionit “dua të jem nuse, por jo grua”, ajo lidhi kurorë me veten më 8 qershor.

Nga ajo kohë, nga udhëtimi për punë deri te dalja për pazar në shtetin perëndimor indian Gujarat, 24-vjeçarja ka marrë shikime mosmiratuese nga të huajt.

Por ja që dita e dasmës ka qenë dita më e mirë e jetës së saj.

“Isha e mahnitur nga vetja kur u pashë në pasqyrë. Nuk kisha merak për një nuse normale indiane. Ndihesha sikur isha mjaftueshëm për veten time”, ka thënë ajo.

Sipas saj, aspekti më i mirë i martesës me veten është se ajo nuk ka ndryshuar shumë që nga dasma.

“Nuk kam nevojë për vërtetimin e askujt tjetër. Nuk duhet të mendoj të lëviz në një qytet tjetër sepse partneri im duhet të lëvizë. Mund të mendoj vetëm për veten time“, ka vijuar e reja.

E gjitha sepse “askush” nuk mund t’i dhurojë dashuri më të madhe se sa vetë ajo vetes.

Bindu është një grua e pazakontë në një shoqëri tradicionale indiane që tani po ballafaqohet me ndryshime të shpejta.

A është kjo dashuri radikale për veten, kërkim për famë, glorifikim i qëllimshëm i të qenit vetëm si një protestë kundër vetmisë, apo refuzim i patriarkatit dhe pritshmërive shoqërore të grave?

Referuar ekspertëve, një deklaratë e tillë e dashurisë për veten mund të ketë qenë rezultat i traumave të së kaluarës dhe marrëdhënieve të dështuara.

Madje mund të tregojë tendenca narcisiste.

Anusnigdha, një studiuese e orientuar nga psikanalitika në Universitetin e Birmingham-it në Mbretërinë e Bashkuar, beson se trauma ekstreme në një moshë të re mund të shpjegojë dashurinë për veten.

Për dikë që ka kaluar trauma, pranimi i këtij lloji mund të jetë jashtëzakonisht shërues.

“Në një shoqëri ku gjithçka festohet në mediat sociale, duket se ajo donte të bënte një deklaratë publike se më në fund e ka pranuar veten pas një udhëtimi shërimi”, ka thënë Anusnigdha.

Ajo ka rrëfyer se ka pasur një fëmijëri të vështirë dhe se është abuzuar në mënyrë të përsëritur seksualisht kur ishte tetë vjeç.

“Sa herë që ndodhte, shikoja në pasqyrë duke qarë dhe përpiqesha të motivoja dhe frymëzoja veten. Më duhet t’i kujtoj vetes se jam i fortë. Për shkak të kësaj, u rrita shumë përpara kohës”, ka treguar.

Bindu e përshkruan veten si një person i zëshëm që mban gjithmonë një qëndrim kundër padrejtësisë.

Anusnigdha mendon se presionet e një martese ideale për gratë në shoqërinë indiane mund të jenë gjithashtu një faktor shtytës në martesën e Bindu me veten e saj.

“Shumica e rasteve të sologamisë në mbarë botën janë gra. Që në moshë të re, vajzat përgatiten për martesë. Mund të ndihet si presion. Duke u martuar me veten, ajo u ka mbyllur gojën njerëzve”, ka dalluar ajo.

Çfarë është sologamia?

Ka referenca të shumta për sologaminë në kulturën popullore perëndimore.

Ideja është shfaqur në disa filma dhe seri televizive të njohura, duke përfshirë “Sex And The City”, “Glee” dhe “Doctor Who”.

Organizata të tilla si Marry Yourself Vancouver në Kanada dhe IMarriedMe.com në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë paketa dhe asistencë sologamie.

“Kisha dëgjuar shumë për poligaminë dhe monogaminë, por asnjëherë për sologaminë”, ka thënë Bindu.

“Pasi pashë shfaqjen, kërkova për herë të parë nëse ishte e ligjshme të martoheshe me veten në Indi”, ka vijuar.

Për miqtë dhe familjen e saj, edhe pse në fillim ishte tronditëse, ata u mësuan me idenë e saj. Kurse të tjerët ishin kureshtarë.

“Isha në një lloj arresti shtëpie për shkak të mediave jashtë, nuk mund të dilja. Edhe fqinjët kishin kundërshtime”, ka treguar ajo.

Pas publikimit të lajmit për martesën e saj, mediat u dyndën jashtë shtëpisë së saj për intervista.

Historia e saj mori përgjigje të përziera, por shumica e tregimeve e përshkruan atë si një pioniere të kësaj lloj martese.

Anusnigdha mendon se Bindu ka shfrytëzuar me sukses potencialin e mediave sociale dhe e ka stiluar veten si një ikonë trend dhe feministe.

Sipas saj, edhe dasma është bërë në mënyrë performative.

Por nuk ishte udhëtim i lehtë. Jo vetëm njerëzit e tallnin për vendimin, por pati edhe reagime politike. Vetëm një javë para dasmës së saj, prifti që duhej të solemnizonte martesën u tërhoq.

“Kjo sepse u përfshi politika”, ka thënë Bindu, duke iu referuar kundërshtimit me të cilin u përball nga Sunita Shukla, një politikane nga Partia qeverisëse Bharatiya Janata (BJP).

Kjo e fundit deklaroi se nuk do të lejonte që dasma të bëhej në një tempull hindu.

Për shkak të kërcënimeve, Bindu ishte nën presion. Ajo e mbajti ceremoninë në shtëpinë e saj para datës së planifikuar.

Dhe ishte autentike.

Për Shukla, një martesë e tillë ishte kundër hinduizmit.

“Martesa të tilla janë kundër hinduizmit. Kjo do të zvogëlojë popullsinë e hinduve. Nëse diçka shkon kundër fesë, atëherë asnjë ligj nuk do të mbizotërojë”, ka thënë ajo.

Bindu thirri të paktën 25 priftërinj hindu për të kryer ritualet e dasmës, por pa dobi.

Në fund, teknologjia erdhi në shpëtim. Himnet dhe këngët e dasmës u luajtën në një altoparlant në shtëpinë e saj kur u zhvillua dasma.

“Pas martesës, kam marrë shumë pyetje se si do të jetë jeta ime seksuale. Ndonëse është e vërtetë që jam zotuar që të mos takohem, të rimartohem apo të mos kem marrëdhënie seksuale me askënd përveç meje, mund t’i plotësoj plotësisht nevojat e mia”, ka thënë ajo.

Për Anusnigdha, sologamia mund të jetë e shëndetshme vetëm nëse trajtohet si një fazë e jetës së saj.

“Ajo nuk duhet të mbyllet në vetvete. Mënyra e shëndetshme për ta bërë këtë është të jesh i hapur. Nuk duhet të ketë faj apo ankth për të ecur përpara, ose rritja dhe zhvillimi i saj i përgjithshëm mund të ndikohen”, ka sqaruar  ajo.

Njohje e thellë e konceptit

Për terapisten Neha Bhatt, njerëzit kanë zgjedhur të jetojnë me veten – të pamartuar – që nga kohërat e lashta.

“Në kultura të ndryshme ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Në kulturat fisnore, ka pasur gjithmonë një grua apo burrë të pamartuar”, ka treguar ajo.

Sologamia është një lëvizje radikale kundër patriarkatit, sipas saj, një shprehje e drejtësisë sociale dhe një thirrje për t’u shkëputur nga pritshmëritë stereotipike të grave.

Çka mund të jetë një zgjedhje fuqizuese.

“Shumë njerëz mund të kenë shumë mënyra të ndryshme për të vendosur se çfarë ka kuptim për ta në aspektin e intimitetit dhe çfarë lloj angazhimi është më i vlefshëm për ta”, ka shpjeguar terapistje.

Bhatt beson se lidhja e përvojave të fëmijërisë së Bindu me vendimin e saj për t’u martuar me veten mund të jetë e rrezikshme.

“Të thuash se Bindu, si një e mbijetuar e abuzimit seksual, është martuar me veten si reagim ndaj abuzimit do të ishte e gabuar sepse kjo do të thoshte se ne po e patologjizojmë personin”, ka dalluar ajo.

Për terapisten, njerëzit nuk zgjedhin mënyra alternative të shprehjes së identitetit të tyre sepse u ka ndodhur diçka e keqe.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore