Lajme

Riorganizimi i Ballkanit dhe faza tjetër e historisë


Ilustrim: Harta me ndryshimin e kufijve nëse do realizohej plani i paraparë me dokumentin e publikuar ditë më parë, i cili flet për ri-rregullimin kufitar të shteteve në Ballkanin Perëndimor.

Publikimi i një dokumenti jo formal në mediat ballkanike ku flitej për një riorganizim të Ballkanit Perëndimor dhe ndryshime të serishme kufijsh është vetëm ngjarja e radhës në versionin shumë të përfolur për ri-rregullimet territoriale në këtë pjesë të botës.

Albanian Post merr vesh se letrës dyfaqëshe, i ka paraprirë një analizë e gjatë historike për të ndërtuar argumentin historik se ky plan është rregullimi më i pranueshëm dhe arrin kompromisin në mes të shteteve e popujve që preken dhe fuqive të mëdha.

Analiza me referenca historike, politike dhe gjeo-strategjike për Ballkanin, ka ardhur pas insistimit të vazhdueshëm që Sllovenia ka bërë te Rusia dhe Kina që të gjejnë mirëkuptimin e nevojshëm dhe të mos vendosin Veto në pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Dokumenti që renditë arsyet për nevojën e pozicionimeve të reja zbulon se plani pak a shumë është që të ndodhë Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Pastaj të bëhet bashkimi i një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Të zgjidhet çështja kombëtare e Kroacisë përmes dy opsioneve dhe të krijohet një shtet funksional boshnjak.

Për letrën që konkretizonte edhe nevojën përse duhet të ndodhë ri-rregullimi, por shpaloste edhe strategjinë e përgjithshme dhe hapat drejt këtij qëllimi, nuk e ka marrë autorësinë zyrtarisht ende askush.

U raportua se ishte një letër që kryeministri slloven, Janez Jansa, ia ka dërguar Presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, por qeveria sllovene, edhe në një përgjigje për Albanian Post, ka mohuar autorësinë, por jo edhe ekzistencën e dokumentit.

Brenda letrës thuhej edhe se disa liderë ndërkombëtarë dhe rajonalë jo vetëm që janë në dijeni për këtë version të rikonfigurimit të Ballkanit, por një pjesë e tyre edhe po punojnë për realizimin e planit.

Plani megjithatë, përkundër se zgjidh çështjen e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, plotëson dëshirën e serbëve të Bosnjës për t’u bashkuar me Serbinë dhe rregullon statusin e kroatëve në Bosnje, nuk është se akomodon të gjitha problemet në shtetet e Ballkanit, por prapë, siç ka ndodhur historikisht, ngjason të jetë një kompromis tjetër midis dëshirës së popujve vendorë për të formuar shtete kombe dhe interesat e fuqive të mëdha.

Plani shkon drejt realizimit të një dëshire të përbashkët për të formuar shtet-kombe, por prapëseprapë kjo nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, megjithatë do të përcaktojë problemet që do të trajtohen në fazën tjetër të historisë së Ballkanit.

Gjithashtu, me riorganizimin e Ballkanit në këtë formë do të shënohet fundi i sistemit pas Jugosllavisë.

Ky rend i ri do të shfaqet si pasojë e padëshiruar e vendimit të Shteteve të Bashkuara për fillimin e të ashtuquajturës “Lufta e re e Ftohtë” në Ballkan, dhe, veçanërisht, për të larguar Rusinë nga Serbia.

Në këtë skenar kur fiton edhe Serbia, ekziston mundësia që ajo të bindet të pranojë humbjen e Kosovës edhe nëse i ofrohet anëtarësimi në BE pa asnjë vonesë.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë aluzion për këtë, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se BE përballet me ngecje ekonomike dhe rreziqe të shumta gjeopolitike.

Po ashtu, shanset për ruajtjen e status quos janë të ulëta, sepse situata në Kosovë nuk është statike.

Por, amerikanët janë të vendosur të “dëbojnë” Rusinë nga Ballkani, dhe dëshira e shqiptarëve për t’i dhënë fund “boshllëkut ligjor” të Kosovës i nxit ata të kërkojnë ndonjë zgjidhje finale.

Dhe meqë Serbia refuzon ta njohë Kosovën si të pavarur, e vetmja mundësi është përpjekja për bashkim me Shqipërinë – një zgjidhje që shumica e shqiptarëve të Kosovës do ta pranonin.

Në këtë variant, Serbia nuk do të pranonte integrimin e pjesës veriore të Kosovës në shtetin kombëtar shqiptar dhe, ka gjasë të kundërpërgjigjej me Veriun. Kjo më pas do lëvizte gjërat edhe te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Duke pasur parasysh idenë e ndarjes, SHBA-ja nuk do të kundërshtonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës, as marrjen potenciale të veriut të Kosovës nga serbët.

Ndërsa, evropianët ka të ngjarë të lehtësohen që serbët dhe shqiptarët më në fund kanë gjetur një zgjidhje për problemin e statusit të Kosovës dhe Rusia nuk do të ketë fuqinë ta bllokojë atë.

Por, amerikanët nuk duan që territori i serbëve të Bosnjës të bashkohet me Serbinë, sepse kjo do të nënkuptonte një platformë të fortë për ndikimin rus në Ballkan.

Gjithashtu, SHBA do t’i rezistonte çdo përpjekje të shqiptarëve për t’u shkëputur nga Maqedonia Veriore, e cila së pari do të duhet të përcaktojë territorin e vet, që do të nënkuptonte një luftë të ndërlikuar dhe të përgjakshme të shkëputjes.

Përkundrazi, SHBA do të këmbëngulë që këto kombe të heqin dorë nga përpjekjet e tyre dhe nga ana tjetër t’u garantojnë atyre vetëqeverisjes brenda shteteve ekzistuese, që do të thotë lehtësim i kontrolleve kufitare, në mënyrë që të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar midis anëtarëve të të njëjtave kombe.  Një parim i tillë do të zbatohej edhe për kroatët boshnjakë.

Ky ri-rregullim do çonte në fazën tjetër ku shqiptarët dhe serbët do të shkonin më pranë qëllimit të krijimit të shteteve-kombe, ndërsa dëshira e fuqive të mëdha për të stabilizuar Ballkanin do të realizohej.

Por, përkundër kësaj shumë çështje prapë mbeten të pazgjidhura, përfshirë statusin përfundimtar të serbëve në Bosnje dhe shqiptarët në Maqedoninë veriore, të cilët ende do të duan të bashkohen në shtetet e kombeve të tyre.

Në të njëjtën kohë, përkundër se dokumenti i publikuar e përfshinë edhe këtë problematikë, prapë do të shtroheshin pyetje në lidhje me statusin e boshnjakëve dhe kroatëve në pjesë të Bosnjës, si dhe pozicionin e popullatës sllovene në Maqedoninë Veriore, e cila po përpiqet të bashkohet me Bullgarinë.

Shto këtu që pozicioni i shumë grupeve të vogla në rajon, veçanërisht në Mal të Zi, është i pasigurt, siç është edhe marrëdhënia midis shteteve të rajonit dhe fuqive të huaja.

Kështu, duke pasur parasysh që SHBA do të duhet të japë garanci për një rend të ri, Rusia do të duhet të “marrë përsipër” ndikimin amerikan duke forcuar ndikimin e vet midis serbëve boshnjakë.

Procesi i lartpërmendur do të thotë që SHBA-ja do të heqë dorë nga kundërshtimi i saj i gjatë ndaj ndryshimeve të kufijve, të cilat do të paraqesin një sfidë për status quo-në rajonal, përfshirë edhe rezistencën shqiptare, të cilën SHBA do të duhet ta “thyejë”.

Por, megjithëse “riorganizimi” i ardhshëm i Ballkanit do t’i afrojë popujt lokalë në realizimin e një dëshire të përbashkët për shtetet-kombe, ai nuk do t’i zgjidhë të gjitha çështjet.

 

Pse duhet një tjetër riorganizimi?

Në Ballkan shteti është kuptuar gjithmonë si shtet-komb, prandaj edhe sot vazhdon kështu. Cilado do organizime të tjera politike, përderisa mund të pranohen nga një grup, grupi tjetër i përjashton si të papranueshme.

Përkundër dëshirës, realiteti ka qenë ndryshe. Jo të gjithë nacionalizmit në Ballkan kanë arritur ta konkretizojnë atë që e duan.

Nëse shohim historikisht, grupi që ka krijuar pak a shumë një shtet-komb janë grekët, pas një shkëmbimi masiv të popullsisë me shtetin e ri të formuar të vendit në Turqi në 1923. Shembull i ngjashëm janë rumunët, megjithëse dy milion prej tyre u bënë pjesë e republikave sovjetike të Moldavisë dhe Ukrainës në 1940.

Bullgarët janë në një situatë të ngjashme, përveç popullatës sllovene nga Maqedonia Veriore, e cila dikur e deklaronte veten bullgare.

Qëllimi i krijimit të shteteve-komb është prishur vetëm për kombet që u bënë pjesë e Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Prandaj, pas shkatërrimit të Jugosllavisë, të gjitha kombet, pothuajse të gjitha, kërkuan realizimin e vet kombëtar. Rirregullimi i fundit do ua mundësonte edhe shqiptarëve këtë, po që se do të ndodhte.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore