Zgjedhjet në Kosovë

Rinumërohen votat e dyshuara për deputetë të AAK-së, në prezencë të Policisë dhe Prokurorisë


Të gjitha votat me kusht dhe ato të diasporës të ardhura për zgjedhjet e 14 shkurtit për kandidatët e subjektit politik AAK, do të rinumërohen.

Këtë vendim e ka zyrtarizuar Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të hënën, pasi që këtë e ka kërkuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pas publikimit të një video në të cilën pretendohet se falsifikoheshin vota në favor të kandidates për deputete nga radhët e AAK-së Meliza Haradinaj.

Në po të njëjtën mbledhje KQZ ka vendosur që të qoj në rinumërim edhe shtatë vendvotime të tjera, gjatë numërimit të së cilave ka marrë pjesë personi i dyshuar i cili shfaqet në video duke bërë pazare për blerje të votave për kandidaten për deputete Meliza Haradinaj.

Pas publikimit të këtij vendimi, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Ministres në detyrë për Punë të Jashtme, Meliza Haradinaj.

Ajo ka mirëpritur këtë iniciativë me arsyetimin e zbardhjes së dyshimeve rreth keqpërdorimeve në emër të sajë.

“Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përsëris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”. Ka shkruar Haradinaj në llogarinë e sajë në rrjete sociale.

Rinumërimi i këtyre votave, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të filloj të hënën në ora 16:00

Pas publikimit të dyshimeve për keqpërdorime të votave, Rrjeti i organizatave jo-qeveritare, Demokracia në Veprim, kishte kërkuar nga prokurori i shtetit të hetohen rastet, në të cilat dyshohet se ka falsifikim të votave të kandidatëve brenda subjektit politik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore