Sport

Rinovimi i Salah, egjiptiani shtang me kërkesën për Liverpool-in


Gazeta e përditshme angleze “The Mirror” ka zbuluar se sulmuesi egjiptian i Liverpool-it, Mohamed Salah, i ka kërkuar klubit një pagë javore rekord për të firmosur rinovimin e kontratës.

Egjiptiani që nga koha e transferimit në “Anfield” është paraqitur në 206 ndeshje me të kuqtë, ku ka shënuar 127 gola.

Mo Salah i ka kërkuar Liverpool-it, as më pak e as më shumë se 500 mijë paund në javë për të rinovuar kontratën.

29-vjeçari ka edhe dy vite kontratë me skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp dhe gjermani e dëshiron me patjetër në ekip Salah-un.

Në krahun tjetër, për Salah interesohen skuadrat e tjera të mëdha Evropiane si: Real Madrid-i, PSG-ja, të cilat mund ta përfitojnë me një shumë të ulët merkaton e verës së ardhshme ose falas pas dy sezonesh nëse nuk rinovon.

Liverpool-i është duke punuar për gjetjen e gjuhës së përbashkët me sulmuesin për kontratën e re, ndërkohë që portieri, Alisson Becker, mbrojtësi Virgil van Dijk dhe dy mesfushorët Jordan Henderson dhe Fabinho rinovuan kontratat.

Por, asnjë nga kontratat e reja të nënshkruara së fundmi nga yjet e Liverpool-it, nuk ka qenë me shifra aq të larta sa kërkon sulmuesi.

Aktualisht, Salah përfiton 200 mijë paund në javë dhe klubi është i përgatitur për t’i ofruar atij kontratën e re me më shumë para se aq, por jo në shifrën e 500 mijë paundëve në javë, pasi mbi të gjitha do të prishte edhe strukturën e pagave.

Momentalisht Salah është i angazhuar me kombëtaren e tij, atë të Egjiptit për kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore