Pajisje

Rinovimi i radhës i Dell-it, XPS 13 Plus


Kompania Dell e kompjuterëve ka rinovuar sërish laptopin e vet XPS 13.

Është e njëjta kohë e vitit të kaluar, kur Dell-i e bëri pajisjen më të hijshme se më parë.

Edhe i riu XPS ngjan si i mëparshmi nga jashtë, me kornizën e hollë, logon e Dell-it dhe dy porta USB Thunderbolt.

Por kur laptopi i rinovuar hapet, vihet re se gjërat janë bërë shumë më të sheshta, dallon faqja “The Verge” e të rejave teknologjike.

Te XPS 13-a i ri, Dell-i e ka hequr rreshtin e funksionit dhe e ka zëvendësuar me atë që e quan “rresht funksioni me prekje, me kapacitet”.

Ky term u referohet butonave të vegjël LED të vendosur në një shirit të sheshtë, që mund të preken nga përdoruesi për të rregulluar funksione të tilla, si ndriçimi i ekranit apo volumi i zërit.

Diçka tjetër që vihet re është edhe njësimi i tastierës me bazamentin e pajisjes. Çka tregon një pamje të pastër, ku gjithë pjesa e tastierës është tanimë e sheshtë dhe në vijë të drejtë.

Kjo zgjedhje lejon gjithashtu që çelësat të jenë më të gjerë, pasi nuk kanë nevojë të kenë një hendek midis tyre.

Sipas “The Verge”, testimi i tastierës së sheshtë ofron një përvojë të ndryshme nga shtypja e shumicës së tastierave standarde të laptopëve.

Në të, gjenden edhe dy altoparlantë me ndezje lart të fshehur nën tastierë, përveç dy altoparlantëve me ndezje poshtë.

Paçka se modeli i vitit të kaluar me vetëm dy altoparlantë konsiderohej mirë, përmirësimet në audio në pajisjet tejet të holla dhe me peshë të lehtë janë gjithmonë të mirëseardhura.

Ndërkaq, rinovimi ka sjellë edhe një opsion OLED të ekranit.

Dell-i nuk është kompania e vetme që bën ndryshime në modelet e saj kryesore për të arritur një pamje dhe ndjesi drejtvizore, por XPS 13 Plus është shprehja më ekstreme e kësaj.

Shumë njerëz mund të mos jenë të mësuar ende të shkruajnë në tastierat e sheshta me prekje në laptopët e tyre. Megjithatë, këto pajisje që bëhen gjithnjë e më të holla, të lehta dhe të sheshta mund të jenë trend i tregut.

Modelet XPS 13 Plus do të dërgohen në mbarë botën këtë pranverë dhe pritet të fillojnë nga 1 mijë e 199 dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore