Rajoni

25 janari rikthen bisedimet Turqi-Greqi


Raundi i 61-të i bisedimeve midis Turqisë dhe Greqisë mbi çështjen e ndarjes së detit do të rinisë në 25 janar. Vendi i takimit, do të jetë Stambolli.

Ky njoftim erdhi disa orë pas ftesës së Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ndaj palës greke. Fillimisht u deklarua se Shqipëria mund të ishte vendi ndërmjetësues i bisedimeve.

Pas reagimit nga Ministria e Jashtme e Greqisë se nuk ka ftesë zyrtare nga Turqia, nga Ankara-ja erdhi përgjigja: “Sot, duam të bëjmë një ftesë të hapur ndaj Greqisë”, theksoi Cavusoglu. “Duhet të rinisim bisedimet për detin dhe takimi i parë do të mbahet në janar”, shtoi ai.

Dy Ministritë e Jashtme përkatëse bënë me dije se data e takimit do të jetë 25 janari. Bisedimet do të jenë të 61-tat, në një proces të gjatë negociatash midis dy vendeve.

Shqipëria ndërmjetësuese?

Përpara dakordësimit të datës, mendohej se do të ishte Shqipëria vendtakimi i bisedimeve. Cavusoglu kishte thënë më parë se Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, kishte refuzuar ftesën e ndërmjetësimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Cavusoglu deklaroi se kjo ftesë ishte refuzuar për shkak të situatës së Covid. Nga ana e ministrit grek ndërkohë, nuk është dhënë asnjë koment mbi çështjen.

Rama pati një vizitë dy ditore në Ankara dhe më pas një vizitë jo zyrtare në Greqi. Ai u takua me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis dhe me Dendias-in.

Tashmë kuptohet se këto vizita kanë qenë të lidhura pikërisht me ndërmjetësimin që Shqipëria ka kërkuar të bëjë në bisedimet Turqi-Greqi.

Turqia, Greqia dhe BE-ja

Rikthimi në bisedime për Turqinë vjen pas konfirmimit se Cavosuglu-ja do të vizitojë Brukselin në 21 janar. Turqia ka çështje të hapura edhe me Bashkimin Evropian, pas sanksioneve që kjo e fundit i vuri Ankarasë. Turqia kishte nisur kërkim gazi në ujëra të pretenduar nga Greqia dhe Qipro.

Vetë çështja e Qipros, është një tjetër objekt konflikti midis Athinës dhe Ankarasë. Pritet që edhe kjo temë të preket në bisedime.

Konflikti mbi ujërat e detit Egje, daton që shumë vite më parë. Për çështjen, pati edhe një ndërmjetësim nga anëtarët e NATO-s. Dy shtetet, kanë qenë në prag lufte në mesin e viteve 70’.

Greqia ka shfrytëzuar të drejtën e saj për zgjerim me 12 milje muajin e shkuar. Hamendësime, janë ngritur edhe mbi mënyrën si preket Shqipëria nga zgjerimi i kufijve detarë grekë./AlbaniaPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore