Auto

Rimëkëmbja e tregut francez të makinave përballet me pengesa


Mungesa globale e çipave dhe një rritje e re e infektimeve nga COVID-19 po rëndojnë në perspektivat për një rikthim të fortë të tregut francez të makinave.

Kështu ka bërë me dije të dielën e 1 gushtit lobi i prodhuesve të makinave ‘CCFA-PFA’.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se shoqata franceze kishte vënë bast për rritjen e shitjeve të makinave në rangun prej nëntë deri në 10 për qind.

Mirëpo, sipas një zëdhënësi të CCFA-së kjo përqindje mund të ulet.

“Ne mendojmë se mund të jetë e vështirë të arrijmë 1.8 milionë shitje këtë vit”, ka thënë zëdhënësi.

Vitin e kaluar, regjistrimet e reja franceze të makinave ranë në 1.65 milionë nga 2.21 milionë në vitin 2019. Kjo pasi pandemia e coronavirus-it ndaloi fabrikat e makinave.

Edhe këtë vit, mungesa e gjysmëpërçuesve kryesorë dhe pasiguria rreth pandemisë së coronavirus-it të ri po prekin shumicën e prodhuesve të automjeteve, përfshirë prodhuesin francez të makinave, Renault dhe rivalin e tij franko-italian të quajtur Stellantis.

Referuar të dhënave të nxjerra nga CCFA-PFA të shtunën e vonë të 31 korrikut, regjistrimet e makinave të reja në Francë kishin pësuar një rënie me afro 35 për qind në muajin korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

CCFA ka deklaruar se muajin e kaluar regjistrimet e automjeteve të reja të pasagjerëve arritën në 115 mijë e 713.

Gjithashtu shoqata ka zbuluar se gjatë shtatë muajve të parë të vitit, tregu francez i makinave është rritur me afro 16 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore