Libra

“Rikthimi te filozofia e natyrës”


Shkëputja e madhe në mes të shkencës dhe filozofisë duhet të riparohet. Vetëm atëherë do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjeve më urgjente dhe fundamentale.

Njëherë e një kohë, filozofia nuk ishte vetëm pjesë e shkencës; në fakt, “shkenca” ishte degë e filozofisë. Duhet të kujtojmë se shkenca moderne në fillimet e saj ishte “filozofi e natyrës” – një zhvillim i filozofisë, një përzjerje e filozofisë dhe shkencës.

Ne sot mendojmë se Galileo, Johannes Kepler, William Harvey, Robert Boyle, Christian Huygens, Robert Hooke, Edmond Halley dhe, sigurisht, Isaac Newton, si shkencëtarë të mëdhenj, kurse Francis Bacon, Rene Descartes, Thomas Hobbes, John Locke, Barush Spinoza dhe Gottfried Leibniz si filozofë. Kjo ndarje, sidoqoftë, është diçka që ne i’a imponojmë së kaluarës. Dhe është thellësisht anakronike.

Në atë kohë të gjithë e shihnin veten si filozofë të natyrës. Të gjithë ishin të përgaditur të mbanin qëndrime fundamentale metafizike dhe filozofike, në mënyrë që të trajtonin problematika më specifike të fizikës, astronomisë, kimisë, fiziologjisë, matematikës, mekanikës dhe teknologjisë.

Filozofia si mendim kritik dhe imagjinativ për problemet fundamentale ishte gjallë dhe e fuqishme – dhe mëse kreative dhe produktive.

Që të dy, Kepler dhe Galileo, bënë vështrime të kujdesshme dhe eksperimente si shkencëtarë brilantë që ishin; por gjithashtu ata adaptuan pikëpamje metafizike për natyrën që konsideronin se “libri i natyrës” është i shkruar në “gjuhën e matematikës”, siç shprehet Galileo.

Që të dy kishin pikëpamje, në kontrast me mendimin ortodoks metafizik aristotelian të kohës, që ligje të thjeshta matematikore sundojnë mënyrën se si fenomenet natyrore ndodhin, dhe kjo pikëpamje metafizike luajti rol krucial në zbulimin dhe në pranimin e zbulimeve të tyre madhore shkencore në lidhje me lëvizjet e planetëve (Kepler), dhe lëvizjen e objekteve terrestriale (Galileo).

Descartes, Huygens, Boyle, Newton dhe të tjerët adoptuan pikëpamje të versioneve të ndryshme metafizike të asaj kohe që universi përbëhej nga atomet.

Por shkenca u shkëput nga metafizika dhe nga filozofia, si rezultat i filozofëve të natyrës që pranuan një koncepsion thellësisht të gabuar për natyrën e vetë shkencës. Si rezultat, filozofia e natyrës u shua, dhe u krijua një çarje e madhe në mes shkencës dhe filozofisë, dhe nisi rënia e madhe e filozofisë.

Ishte Newton ai që pa dashje solli këtë ndarje në botimin e tretë të “Principia”-s së tij me pohimin që ligjet e gravitetit i kishte derivuar nga “phenomena” përmes metodës induktive.

Paradoksalisht, botimi i parë i Principia-s së Newtonit (1687) ishte haptazi vepër e madhe e filozofisë së natyrës. Në edicionin e parë janë nëntë propozicione që në mënyrë të qartë janë të etiketuara si “Hypotheses”, disa prej tyre kanë edhe karakter metafizik.

Deri te botimi i tretë, dy nga këta hipoteza ishin bërë “Rules of Reasoning”, dhe pesë të fundit, që kanë të bëjnë me sistemin diellor, ishin bërë “Phenomena” në botimet e mëvonshme. Njëra hipotezë zhduket krejtësisht, dhe njëra prej tjerave, që nuk ishte e domosdoshme për argumentin kryesor, ishte hudhur në mes të teoremave të përgjithshme.

Në botimin e tretë shtohen edhe dy “Rules of Reasoning”, dhe që të dyja për nga karakteri janë induktive. Në lidhje me të dytën nga këta “rregulla arsyetimi” Newton-i komenton se: “Këtë rregull ne duhet ta ndjekim, që argumenti për induksion mos të shmanget me hipoteza”. Dhe ai shton edhe më tutje në lidhje me induksionin dhe hipotezat se:

“…gjithçka që nuk është deduktuar nga fenomenet duhet të quhet hipotezë; dhe hipotezat, qofshin ato metafizike apo fizike…nuk kanë vend në filozofinë eksperimentale. Në këtë filozofi, propozicionet partikulare janë inferenca prej fenomeneve, dhe më pas i nxjerrim si të përgjithshme përmes induksionit. Kështu ndodhi që…ligjet e lëvizjeve dhe gravitacionit janë zbuluar.”

Në këtë mënyrë pra Newton-i synoi që ta transformojë veprën e tij të madhe të filozofisë së natyrës në një vepër të shkencës induktive.

Newton i urrente polemikat. Ai e dinte që ligji i tij i gravitetit ishte i diskutueshëm, dhe ai i “shëroi” botimet e tjera të “Principa”-s që ti fshehte elementet hipotetike dhe metafizike, dhe të bënte të dukej se ligji i gravitetit ishte derivuar plotësisht prej fenonemeve përmes induksionit.

Për shkak të prestigjit madhor që Newton gëzonte si mendimtar, dhe sidomos pasi vepra e tij ishte duartrokitur nga iluministët francezë, filozofët pasues të natyrës e morën si të mirëqenë se suksesi shkencorë kërkonte që ata të vazhdonin hulumtimet në pajtim me metodologjinë e Newton-it.

Ligjet dhe teoritë duhet të ndërtoheshin, ose së paku të vendoseshin, përmes induksionit prej fenomeneve. Metafizika dhe filozofia ishin bërë irrelevante, dhe tani mund të injoroheshin. Kështu pra lindi shkenca moderne, dhe filozofia e natyrës që ngriti këtë shkencë, u harrua.

Metodologjia induktiviste e Newton-it është ende me ne. Sot e njohim kryesisht si “inferencë për shpjegimin më të mirë” (Newtoni nuk e injoronte eksplikimin. “Rregullat” e tij theksojnë që induksioni na kërkon të pranojmë atë teori që është më e thjeshta, dhe si pasojë, të jepë shpjegimin më të mirë të fenomenit).

Shkencëtarët sot mund të mos mbajnë atë qëndrimin se teoritë mund të ‘deduktohen’ prej fenomeneve nga induskioni, por ata pohojnë që vetëm faktet (dhe konsiderimet eksplanatore) vendosin cilat teori janë për tu pranuar dhe cilat për tu hedhur poshtë.

Me fjalë të tjera, ata e marrin si të mirëqenë një version ose tjetër të empiricizmit standard, doktrina e cila thotë se vetëm faktet vendosin në shkencë se cilat teori duhet t’i pranojmë ose jo, me thjeshtësinë, unitetin dhe fuqinë shpjeguese të teorisë në fjalë, por jo në atë mënyrë që bota, apo fenomenet, të supozohet se janë të thjeshta, të unifikuara apo të kuptueshme.

Pika esenciale, e trashëguar nga Newton-i, është që asnjë tezë për botën nuk mund të pranohet si dije shkencore nëse është e pavarur nga evidencat, e lëre më në kundërshtim me evidencat.

Në esencë, metodologjia evidenciale e Newton-it ende e dominon skenën shkencore. Pra kjo ndarje vendimtare e shkencës dhe filozofisë, e cila është njëra nga rezultatet, qëndron edhe sot.

Filozofia u varfërua thellësisht si rezultat i kësaj ndarje. Në vend se shkenca të ishte degë e filozofisë – pra filozofi e natyrës – shkenca u shkëput dhe u pavarësua nga filozofia. Filozofia humbi një pjesë të madhe të trupit të saj, pjesën e saj më të suskesshme.

E divorcuar nga shkenca e natyrës, filozofia mbeti e venitur nga rëndësia e saj. Psikologjia, antropologjia, sociologjia, ekonomia, shkencat politike, linguistika, logjika dhe kozmologjia që të gjitha u pavarësuan nga filozofia dhe themeluan veten si disiplina të pavarura.

Nga fillimi i shekullit të 20-të filozofia kishte rënë në krizë. Një zgjidhje ishte Filozofia Kontinentale; ajo mund të injorone arsyen, shkencën, dhe të zhytej në gjuhë bombastike dhe inkoherencë.

Një solucion tjetër shfaqej si Filozofi Analitike, kryesisht në botën anglisht-folëse: filozofia do të merrej me analiza konceptuale, probleme serioze të rrënjosura nën shkëlqimin e koncepteve ezoterike  dhe një analizë të koncepteve të paligjshme

Por e gjitha kjo është e panevojshme dhe absurde. Historia që treguam për venitjen e paevitueshme të filozofisë kur kompononentët e saj kryesor u bënë shkencor, të suksesshëm dhe të pavarur, është nonsens. Qëllimi kryesor i filozofisë, më i rëndësishëm se kurrë më parë, është të mbajë gjallë mendimin racional, imagjinativ dhe kritik, të menduarin mbi problemet më urgjente dhe më fundamentale për jetën. Se si mundet bota jonë njerëzore, bota sic na është dhënë, botën që e jetojmë, e shohim, prekim, ndëgjojmë e nuhashim, botën e gjallë të gjërave, njerëzve, vetëdijes, vullentit të lirë, të pasurit kuptim dhe vlerat – si mund të ekzistojë e gjitha kjo dhe të lulëzojë kështu sic është në Universin fizik?

Ky problem më fundamental i pushton të gjitha problemet e tjera më të specializura e partikulare të mendimit dhe të jetës.

Detyrë më bazike e filozofisë është që të sigurojë se ky problem hulumtohet në mënyrë aktive në të gjithë zemrën e arsimimit tonë dhe kërkimeve akademike, në mënyrë që të menduarit racional për këta probleme të ndikojë, dhe të jetë e ndikuar, nga të menduarit më të specializuar nga disiplinat e shkencave natyrore, shoqërore, teknologjike, formale, njerëzore, edukuese, dhe edhe kontekstet më partikulare të jetës personale, shoqërore dhe globale.

Edhe pse në mungesë konkrete të fushë-kërkimeve, problemeve e metodave, filozofia, e kryer në mënyrën e duhur, ka fushë-hulumtimin e saj dhe problemet e saja, potencialisht, të të gjithave disiplinave të specializuara, dhe metodën kryesore të të gjithave hulumtimeve të tjera, respektivisht metodën racionale të zgjidhjeve të problemeve.

Duke mos qenë vetëm një tjetër disiplinë e specializuar, e ndarë nga shkencat tjera të specializuara, sikurse edhe filozofia akademike pretendon të jetë, filozofia e ndjekur në mënyrën e duhur ka një qëllim themelor, të kundërshtojë specializimin duke mbajtur të gjallë mendimin mbi problemet fondamentale në atë mënyrë që interakton në të dyja drejtimet, me kërkimet e specializuara.

E them përsëri, fiozofia, ndjekur në mënyrën e duhur, nuk është nj fole e rezervuar e filozofëve të kualifikuar; një qëllim themelor i filozofëve profesionistë është që të inkurajojnë të gjithë që të mirren me filozofi, me mendim kritik racional mbi problemet fundamentale: akademikët dhe jo akademikët nga fusha të gjera të specializuara së bashku.

Na duhet një emër për filozofinë që ndjekë këtë frymë. Le ta quajmë Fundamentalizëm Kritik – një rival i filozofisë analitike dhe asaj kontinentale.

Fundamentalizmi Kritik kthehet prapa në kohë në rikrijimin e filizofisë së natyrës, sepse Fundamentalizmi Kritik eksploron problemet fondamentale të fushave të gjëra të shkencave të natyrës, nga fizika teorike dhe kozmologjia e deri te neuroshkencat dhe biologjia evolucionare. Fundamentalizmi Kritik, e ndërmarrur në mënyrë iluministe shkencore, do të ndikonte, dhe të njëjtën kohë do të ishte e ndikuar nga kërkimi shkencor.

Do të kishte kapacitetin të kontribonte tek shkencat duke klarifikuar problemet fundamentale shkencore dhe të sugjeronte solucione të mundshme shkencore; dhe sigurisht do të ishte e ndikuar nga rezultatet e hulumtimeve shkencore. Ky integrim i dyanshëm i Fundamentalizmit Kritik  mes filozofisë dhe shkencës do të ishte, në të gjitha përveç në emërtimin e saj, filozofi e natyrës.

Përkthyer nga Albanian Post nga ese origjinali “Natural Philosophy Redux” i Nicholas Maxwell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore