Teknologji

Rikthimi i Trump-it në mediat sociale


Këshilltari i ish presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se ai do të kthehet së shpejti në mediat sociale me platformën e tij.

“Unë mendoj se ne do të shohim presidentin Trump të kthehet në mediat sociale në rreth dy ose tre muaj”, është shprehur Jason Miller për Fox News.

Ai ka shtuar se platforma e Trump-it do të jetë një gumëzhitje në mediat sociale dhe do të ripërcaktojë tërësisht lojën në to.

Lëvizja e re nga ish presidenti vjen pas pezullimit të llogarive të tij personale në platformat Facebook dhe Twitter pas trazirave të janarit në Capitol të SHBA-së.

Sulmi i gjashtë janarit nga mbështetësit e Trump-it, la pesë të vdekur dhe u konsiderua si një tronditje e themeleve të demokracisë amerikane.

Platformat e mediave sociale nuk pritën gjatë për të reaguar. Disa ditë pas sulmit, Twitter-i deklaroi se llogaria personale e ish presidentit Trump ishte pezulluar përgjithmonë për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës.

Twitter-i ishte platforma e parapëlqyer e tij. Ai e përdori për gati 101 vite duke anashkaluar format tradicionale të komunikimit dhe për të forcuar lidhjen e drejtpërdrejtë me votuesit dhe mbështetësit e tij.

Mirëpo, këshilltari i tij, Miller, nuk dha detaje për tipologjinë e platformës që Trump-i do të përdorë, përveçse një ‘paralajmërimi’: “Të gjithë do të presin dhe do të shohin se çfarë bënë saktësisht presidenti Trump!”.

Miller zbuloi se ish presidenti amerikan kishte mbajtur takime me ekipe të ndryshme lidhur me sipërmarrjen e re në vendpushimin e tij, Mar-a-Lago në Florida.

Ai shtoi se kompanitë tanimë i ishin drejtuar Trump-it dhe se parashikohet që platforma e re të jetë “e madhe” duke tërhequr dhjetëra miliona njerëz.

Çfarë ndodhi me Twitter-in?

Në fillim, Twitter-i e pezulloi llogarinë e ish presidentit Trump për 12 orë pasi në një nga postimet e tij, ai i quajti njerëzit që po sulmonin Capitol-in e SHBA-së, “patriotë”.

Ata ishin mbështetësit e tij që po tentonin të hynin në kompleks teksa Kongresi Amerikan po përpiqej të vërtetonte fitoren e zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden, presidenti aktual i SHBA-së.

Twitter-i nuk u ndal. Platforma paralajmëroi se do ta bllokonte llogarinë e Trump-it “përgjithmonë” nëse ai do të vazhdonte të shkelte përsëri rregullat e vetë platformës.

Pasi u lejua të rikthehej në Twitter, ai postoi dy postime, të cilat platforma i konsideroi se ishin të fundit duke shpjeguar se ato ishin në shkelje të politikës kundër promovimit të dhunës.

Edhe Facebook-u ndoqi të njëjtën rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore