Shqipëria

Rikthim në kohë: Rrëfimi i gazetarit Stefano Marcelli për bosin e Bandës së Lushnjës


Deri para trazirave, që morën trajtën e luftës civile në fundshekullin e shkuar, Lushnja ishte një qytet i zakonshëm. Pra, i njëtrajtshëm.

Ndryshe nga disa qytete tjera, njëtrajtësia e Lushnjes nuk ishte kryekëput e lidhur me komunizmin. Por, pesë dekadat nën të kishin patur efektin e tyre.

Referenca gati 80-vjeçare e Kongresit të Lushnjës ishte e vetmja që i jepte zë dhe peshë qytetit në mbyllje të mijëvjeçarit.

Shqipëria ishte para udhëkryqeve të mëdha. Dalja nga diktatura në demokraci shqiptarëve s’po u dilte sipas llogarive.

Dhe kur nuk iu dalin, shqiptarët i pastrojnë ato.

Për mbi 50 vjet diktatura kishte “pezulluar” trazimet e një populli.

Të çliruara dhe kthyera në dallgë të stërmëdha, ato godisnin papushim brigjet e botës së re – Shqipërisë në demokraci.

E dërrmuar ekonomikisht dhe shpirtërisht, Shqipëria e atyre viteve ishte truall i përshtatshëm për t’i qëruar hesapet e vjetra dhe për të nisur krime të reja.

Në krejt këtë dalldi, qyteti i lënë në harresë për gati një shekull befas do të shndërrohej në teatrin e shfaqjeve kryesore të krimit në vend.

Projektorët po ktheheshin kah Lushnja. Dhe skenat ishin plot gjak.

Ato nuk do t’i shihnin vetëm shqiptarët. Përmes syrit të aparateve fotografike, kamerave dhe rreshtave të shkruar bota po përcillte përplasjen e një shoqërie me vetveten.

Stefano Marcelli, gazetar i RAI, do të ishte një nga lajmëtarët e asaj që po ndodhte në “shtetin matanë detit”. Vite më pas, ai do të sqaronte se vetëm aq dinte për Shqipërinë, para se ta jetonte realitetin brutal të saj.

Gati tre dekada nga atëherë, pena e tij rikthehet në kohë duke risjellë rrëfimin për “Bosin e Bandës së Lushnjes”, ekskluzivisht për Albanian Post.

Të premten, në 18:30 mund ta lexoni përshkrimin plot detaje, për një prej ngjarjve që tronditën Shqipërinë e asaj kohe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore