Sport

Rikthehet Superiorja, katër pretendentët zbresin në fushë


Kategoria Superiore e Shqipërisë do të rikthehet pas pushimit të ndeshjeve të kombëtareve, me dy sfida, për të hapur javën e 26-të. Ditën e shtunë, në Shkodër vendasit do të presin Partizanin dhe në Durrës, vendasit do të presin Laçin.

Java e 26-të e Superiores, do të sjellë dy takime, që do të luhen duke filluar nga ora 16:00.

Në Shkodër, Vllaznia do të përballet me Partizanin. Vendasit kryesojnë Superioren me 45 pikë, pas 25 ndeshjeve. Demat e Kuq kanë dy pikë më pak se vendasit.

Vllaznia në kampionat, në 13 ndeshjet e luajtura në “Loro Boriçi” ka grumbulluar 23 pikë. Shtatë fitore, dy barazime dhe katër humbje për shkodranët.

Partizani, në 13 ndeshjet e luajtura jashtë, ka grumbulluar 24 pikë. Shtatë fitore, tre barazime dhe tre humbje, për ekipin e Ilir Dajës.

Dy ndeshjet e fundit në këtë kampionat, mes dy ekipieve, kanë përfunduar 0-0 me Partizanin vendas dhe 1-0 në Shkodër për Vllazninë.

Sfida tjetër do të jetë në “Niko Dovana”, mes Teutës së vendit të katërt dhe Laçit të vendit të dytë. Durrsakët numërojnë 43 pikë pas 25 ndeshjesh. Një pikë më shumë kanë kurbinasit.

Teuta, në 13 ndeshjet si ekip pritës, numëron 21 pikë. Katër fitore, nëntë barazime dhe asnjë humbje. Teuta është i vetmi ekip në Superiore që nuk ka regjistruar humbje në shtëpi.

Laçi si ekip udhëtues, numëron 20 pikë pas 13 ndeshjesh. Pesë fitore, pesë barazime dhe tre humbje.

Dy ndeshjet e mëparëshme mes dy ekipeve, gjatë dy fazave të para të kampionatit kanë përfunduar 1-0 në Laç dhe 1-1 në Durrës.

Ndeshjet e tjera do të luhen ditën e diel. Përkatësisht Bylis – Kastrioti, Tirana – Apolonia dhe Kukësi – Skënderbeu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore