Përballje

Rikthehet Serie A me xhiron e fundit për këtë vit, pezullohet një takim për shkak COVID-19


Kampionati i futbollit italian, Serie A, do të rikthehet këtë mesjavë me xhiron e fundit të gjysmësezonit vjeshtor.

Të gjitha takimet do të zhvillohen të martën dhe të mërkurën, por ajo mes Udinese-s dhe Salernitana-s është pezulluar për shkak të rasteve pozitive te klubi i Salernitana-s.

Kjo ndeshje ishte planifikuar të zhvillohej sonte (e marte) me fillim nga ora 18:30, por klubi i Salernitana-s ka marrë lajmin për dy lojtarë pozitiv me COVID-19, si dhe anëtarë të tjerë të stafit.

Salernitana

Nga ana tjetër, një rast pozitiv me Coronavirus është konfirmuar edhe në radhët e klubit të Lazio-s, teksa fjala është për sulmuesin Ciro Immobile.

Ky i fundit është futur menjëherë në izolim për të shmangur një përhapje të virusit, ndërsa në këtë formë, bardhekaltërit do të duhet të bëjnë pa sulmuesin kryesor për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Venezia-s në udhëtim, që do të zhvillohet të mërkurën.

Ndërsa, mbrëmjen e së martës janë në program për t’u zhvilluar dy ndeshje: Juventus – Cagliari dhe Genoa – Atalanta.

Juventus-i vjen në këtë sfidë me disa mungesa të theksuara si Paolo Dybala, Federico Chiesa, Aaron Ramsey e Danilo, derisa edhe mysafirët vuajnë mungesat e disa nga futbollistët kryesorë të tyre.

Juventus

Juventus-i në pesë ndeshjet e fundit në Serie A, ka pasur një ecuri luhatëse, me tri fitore, një barazim dhe një humbje, ndërsa Cagliari në pesë sfidat e fundit ka marrë dy humbje dhe tri barazime.

Sa i përket renditjes momentale, bardhezinjtë gjenden në vendin e shtatë me 31 pikë, gjashtë më pak nga zona Champions, ndërsa Cagliari gjendet në një krizë, të cilët renditen në vendin e parafundit me vetëm 10 pikë.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Atalanta do të provojë të rikthehet te fitorja përballë Genoa-s, pas asaj humbjes të thellë që pësoi në javën e fundit ndaj Romës, me rezultat 1:4.

Atalanta

Përveç kësaj disfate turpërurese, bergamaskët gëzojnë në formë të mirë, të cilët në pesë sfidat e fundit në elitën e futbollit italian, kanë marrë katër fitore tjera.

Ndërsa Genoa e trajnerit Andriy Shevchenko-s, po kalon në formë shumë të dobët, të cilët në pesë ndeshjet e fundit kanë humbur katër herë dhe kanë barazuar një herë.

Atalanta mban pozitën e katërt në tabelë me 37 pikë, ndërsa Genoa pozicionohet në vendin e 18-të me vetëm 10 pikë.

Xhiro e 19-të në Serie A do të mbyllet të mërkurën, ku janë në program për t’u zhvilluar shtatë ndeshje.

Tabela e Serie A, pas javës së 18-të

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore