Përballje

Rikthehet Liga e Evropës me ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve të finales


Gara e dytë më e rëndësishme për klube në Evropë, Liga e Evropës, do të rikthehet sonte (e enjte) me ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve të finales, ku do të ketë duele mjaft interesante.

Galatasaray – Barcelona, pritet të jetë një takim tejet interesant, sidomos duke pasur parasysh faktin që takimi i parë në “Camp Nou” përfundoi në barazim pa gola.

Ndeshje tjetër interesante pritet të zhvillohet edhe mes West Ham United dhe Sevilla-s. Takimi i parë i kësaj sfide i zhvilluar në Sevilla, përfundoi me rezultat 1:0 në të mirë të vendasve.

Edhe Bayer Leverkusen-i me Atalanta-n pritet të dhurojnë emocione në ndeshjen e sotme të kthimit, derisa ajo e para e zhvilluar në Bergamo kishte përfunduar me shifrat 3:2 në favor të Atalanta-s.

Takim tjetër interesant do të jetë ai mes francezëve të Lyon-it dhe Porto-s, pasi që ndeshjen e parë e fituan francezët në udhëtim me shifrat 1:0, përkundër dominimit total të portugezëve.

Edhe dueli mes Eintracht Frankfurt-it dhe Real Betis-it pritet të dhurojë shfaqje interesante, pasi që edhe takimi i parë i zhvilluar në Spanjë ishte i tillë, i cili përfundoi me shifrat 2:1 në favor të gjermanëve.

Ndeshja tjetër do të jetë mes serbëve të Yllit të Kuq dhe skocezëve të Rangers, ku ndeshja e parë mes tyre përfundoi në të mirë të Rangers me rezultat 3:0.

Ndërsa edhe ballafaqimi mes Monaco-s dhe Braga-s do të jetë interesante, pasi që ndeshjen e parë në Portugali e fituan Braga me rezultat 2:0.

Ndeshjet e sotme do të fillojnë në ora 18:45 dhe 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore