Sport

Rikthehet Kupa e Italisë me Milan-Torino


Mbrëmjen e së martës, rikthehet Kupa e Italisë me fazen e 1/8. Në orën 20:45, Milan-i i Stefano Pioli-t do të presë në “San Siro” Torino-n e  Marco Giampaolo-s. Me vendasit që mbërritën në këtë fazë si të kualifikuar direkt dhe miqtë pasi mposhtën me rezultatin 2-0 Virtus Entella-n.

Milan-i është duke kaluar një form mjaft të mirë në Serie A, të cilën e kryeson dhe në Ligën e Europës, e kualifikuar në raundin e 1/32, ndaj në ndeshjen e sotme shihet si favorite për të kaluar më tej.

Për demat mbërritja në këtë fazë nuk është rastesi dhe janë ekip që dinë të shkaktojnë jo pak probleme.

Ndeshja e fundit midis dy ekipeve ishte para tre ditesh, po në “San Siro” për javën e 17 të Serie A.

Ndeshja përfundoi me fitore për vendasit me rezultatin 2-0, me golat e Rafael Leao-s dhe Franck Kessie-s.

Në Kupën e Italisë, në dy përballjet e fundit mes tyre, Milan-i ja ka dal t’i fitoi po të dyja.

Në vitin 2020 sfida Milan-Torino përfunoi në kohën e rregullt me rezultatin 2-2, ndërsa të kuqtë arritën të shënonin dhe dy herë të tjera në 30 minutat e shtesës.

Precedenti tjetër në Kupën e Italisë, mes dy ekipeve ka qenë në 2017, po në “San Siro”, me po vendasit që fituan me rezultatin 2-1.

Vlen për tu theksuar fakti që në përballjet historike vetëm në Kupën e Italisë, Torino e ka mundur 10 herë Milan-in, gjashtë barazime dhe shtatë fitore për kuqezinjtë.

Në total janë 32 gola të shënuar nga Milan-i, kundrejtë 35 të Torino-s.

Ndeshjet për Kupën e Italisë, të luajtura në “San Siro” në total janë 11, gjashtë fitore Milan-i, tre barazime dhe dy fitore për Torino-n.

Milan-i e ka fituar 14 herë trofeun e Kupës së Italisë, ndërsa Torino 13 herë.

Pioli pritet përsëri të improvizojë formacionin pas disa mungesave të sigurta.

Alexis Saelemaekers-i, Matteo Gabbia dhe Ismael Bennacer-i mungojnë për shkak të dëmtimeve. Listës i shtohen dhe Ante Rebiç-i dhe Rade Kruniç-i, të infektuar me Covid-19.

Në krahun tjetar, për Gianpaolo-n situata është më e thjeshtë, pasi i mungon vetëm Federico Bonazzoli, i dëmtuar së fundmi.

Kuqezinjtë pritet të rreshtohen përsëri me skemën 4-2-3-1.

Në portë  Tatarusanu,  në mbrojtje Dalot, Kalulu, Romagnoli dhe Hernandez, në mesfushë Kessie dhe Tonali, treshja para mesfushës do të jetë Castillejo, Diaz dhe Hauge dhe sulmuesi i vetëm, Leao.

Për demat rreshtimi pritet të jetë 3-5-2 klasik Italian.

Me Milinkoviç-Saviç në portë, Izzo, N’Koulou dhe Lyanco në vijën e mbrojtjes, Vojvoda, Baselli, Rincon, Linetty dhe Murru në mesfushë, Verdi dhe Zaza do të përbejnë dyshen e sulmit.

Fituesi i këtij çifti do të ndeshet me të kualifikuarin e çiftit Inter-Fiorentina, për çerekfinalen e Kupës.

Ndeshjet e tjera të Kupës së Italisë janë  Napoli-Empoli dhe Juventus-Genoa, të cilat luhen nesër (së bashku dhe me Inter-Fiorentina).

Në 14 janar luhen sfidat Sassuolo-Spal dhe Atalanta-Cagliari. Në 19 janar luhet Roma-Spezia dhe në 21 janar Lazio kundër Parma-s.

Shorti për pjesën e mbetur është i përcaktuar. Çerekfinalet mbahen në datën 27 janar, ora 18:00.

Fituesi i Atalanta-Cagliari ndeshet me fituesin e Lazio-Parma.

Fituesi i Napoli-Empoli ndeshet me fituesin e Roma-Spezia. Inter-Fiorentina, fituesi ndeshet me fituesin e çiftit Milan-Torino dhe fituesi i Sassuolo-Spal ndeshet me fituesin e Juventus-Genoa.

Gjysëm finalja luhet në datat 3 dhe 10 shkurt, në orën 18:00.

Fituesi nga sfidat Atalanta-Cagliari/ Lazio-Parma ndeshet me fituesin e sfidave Roma-Spezia / Napoli-Empoli.

Gjysëm finalja tjetër do të dalë nga sfidat Inter-Fiorentina/ Milan-Torino dhe Sassuolo-Spal/ Juventus/Genoa.

Finalja e madhe pritet të jetë në datën 19 maj, në orën 20:00.

Një ekip i dalë nga sfidat Atalanta-Cagliari, Lazio-Parma, Roma-Spezia dhe Napoli-Empoli do të ndeshet me një ekip të dalë nga sfidat e tjera Inter-Fiorentina, Milan-Torino, Sassuolo-Spal dhe Juventus-Genoa./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore