Shqipëria

Rikthehet energjia në Lepushë dhe Vermosh


Pas 10-të ditësh punë intensive, mbrëmjen e 2 shkurtit, është rikthyer energjia elektrike në zonën e Lepushës dhe Vermoshit.

Në datën 24 janar fideri me gjatësi 120-të kilometra pësoi defekt për shkak të motit të keq dhe reshjet e dendura të dëborës.

Për pasojë u konstatuan thyerje të 7-të shtyllave elektrike të tensionit të mesëm dhe mbi 30-të traversa, të cilat lanë pa energji zonën e Lepushës dhe Vermoshit.

Si pasojë e motit të keq, me reshje intensive dëbore dhe orteqe të rëna gjatë ditëve të fundit, rruga nga Gropat e Selcës deri në Qafën e Bordolecit ishte bllokuar.

Punonjësit e Operatorit në Shkodër u detyruan të transportonin në këmbë bazën materiale.

“Vetëm mbrëmjen e djeshme, 2 shkurt, u bë i mundur riparimi i plotë i defektit dhe fideri Kelmend i NST Vukpalaj u vu në punë me kapacitet të plotë”, njofton Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Zonat furnizohen rregullisht me energji, ndonëse rruga nga Gropat e Selcës deri në Qafën e Bordolecit vijon të jetë e bllokuar nga bora e rënë gjatë këtyre ditëve.

Grupet e avarisë janë në terren për çdo situatë që mund të krijohet në rrjetin e shpërndarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore