Shqipëria

Rikthehet “Babalja”, Apeli vendos sot “fatin” e Salianjit


Detyrim njerëzor dhe politik.

Kështu e ka cilësuar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, pjesëmarrjen e deputetëve demokratë në seancën gjyqësore që zhvillohet sot më 4 korrik ndaj Ervin Salianjit për çështjen “Babalja”.

Salianji do të përballet me gjyqtarët e Apelit, ku do të vendoset “fati i tij” për kallëzim të rremë.

Kjo gjë duket se nuk do të pranohet nga opozita, e cila e quan gjyqin “një orkestrim hakmarrës politik nga Qeveria dhe eksponentë të mazhorancës”.

Ndryshe nga herët e tjera, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lundruar në të njëjtat ujëra si Alibeaj.

Ai e ka cilësuar gjyqin një rikthim të “proceseve staliniste”.

Njëjtë si sot dhe 4 vite më parë në nisje të çështjes, demokratët do të mbanin konferenca me “nota proteste”.

Në maj të 2018-ës, kur gjithçka nisi – selia blu denoncoi vëllain e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

Sipas tyre, Xhafaj – kryetar i Komisionit të Ligjeve – kishte ndryshuar ligjin e Kodit të Procedurës Penale, për të ndihmuar vëllain e tij, Geron Xhafajn, me precendentë penal në Itali.

Në skenën e politikës doli një audiopërgjim, që solli reagime dhe kundëreagime të shumta.

PD-ja publikoi përgjimin ku, sipas saj, “zhvillohej një bisedë mes një trafikanti dhe Geron Xhafajt”.

Trafikanti u zbulua më vonë si personi me emrin, Albert Veliu, i cili njihej ndryshe si “Babalja”.

“Përgjim i vërtetë”

Kështu Salianji, së bashku me kolegët e tij, Gazment Bardhi dhe Alibeaj kërkuan nisjen e hetimeve dhe pohuan se audiopërgjimi ishte i vërtetë.

Deklarata do të kishte edhe nga kreu i PD-së – tashmë i dorëhequr – Lulzim Basha.

Ky i fundit shkoi më tej, duke thënë se ministri i Brendshëm dhe kryeministri po ushtronin presion ndaj dëshmitarit dhe familjes së tij.

Skenari ndryshoi.

Nga audiopërgjim, PD-ja do të shfaqte një intervistë me zë dhe figurë.

“Babalja”, në atë intervistë, i shpjegonte gazetarit Jetmir Olldashi se pse e kishte publikuar audiopërgjimin.

Pas kësaj erdhi edhe reagimi i vëllait të Xhafajt, i cili tha se Qeveria nuk ka penguar “ekstradimin tim në Itali” pasi nuk ka asnjë urdhërarresti atje për të.

Ai shkroi një letër, ku theksonte se do të paraqitej te autoritetet italiane për të vërtetuar se kjo ishte një shpifje e opozitës për “lojë politike”.

Po ashtu ai ngriti një padi ndaj Salianjit dhe përfaqësuesve të PD-së.

Imazhe të tjera

Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.

Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoit, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.

Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.

Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.

Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.

Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.

Dënimet

Salianji u dënua me një vit burg nga Gjykata e Tiranës, e cila nuk pranoi kërkesën e Prokurorisë që dënimi të konvertohet në shërbim provë.

Gjithashtu Gjykata vendosi të dënojë me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliun.

Me dy vite burg u dënua Fredi Alizoti person i cili sipas prokurorisë ka bërë zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin e PD.

Me 6 muaj burg u dënua gazetari Jetmir Olldashi, dënim të cilin Gjykata vendosi t’ja konvertojë në 100 orë punë në shërbim të publikut.

Ndërkohë për Grupin Parlamentar të PD-së, e gjithë kjo është “hakmarrje e mazhorancës” dhe duhet të “paraqiten” për të dëgjuar vendimin e Apelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore