Shqipëria

Rikthehet alarmi COVID në Shqipëri, mbi 500 raste dhe 1 vdekje në 24 orë


Dukej tërësisht i harruar, por alarmi i COVID-19 po rikthehet në Shqipëri, me 550 raste në 24 orët e fundit, si edhe një vdekje.

Këto janë shifrat e fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, ku numri i të shëruarve është më pak se gjysma e rasteve të reja të ditës së fundit.

Për këtë shkak, nga vetë Ministria është bërë thirrje që të mos neglizhohet as vaksinimi ndaj COVID-19 dhe as masat e distancimit social për sa kohë është e mundur.

Megjithatë, shifrat e deritanishme nuk shfaqen së tepërmi të rrezikshme, aq sa për të ndryshuar masat anti-COVID, ose më saktë për t’i rikthyer ato, duke qenë se janë të pezulluara tërësisht prej muajsh.

Një apel nga Ministria është bërë edhe mbi kryerjen e dozave përforcuese, nga personat, të cilat i kanë marrë tashmë dy të parat.

Në terma tërësorë, në gjithë Shqipërinë janë 2 mijë e 164 qytetarë aktivë me COVID-19.

Tirana është qarku me numrin më të madh të rasteve aktive, 340.

Në qytetet e tjera, ndërkaq, rastet radhiten nga 30 e poshtë. Qarku me më pak raste, është ai i Kukësit, me vetëm dy të tillë.

Trajtim spitalor të specializuar po marrin 19 pacientë.

Viktima e fundit e regjistruar ishte një 81-vjeçar. Teksa, vdekja e parë pas 50 ditësh pa vdekje nga virusi, u regjistrua më 27 qershor, ku rastet kishin shfaqur po ashtu rritje të ndjeshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore