Sport

Rikthehen ndeshjet në ligat më të forta europiane të futbollit


Dita e premte do të rikthejë ndeshjet e kampionateve, pas atyre të Ligës së Kampionëve dhe UEFA Europa Ligës, të luajtura në mesjavë. Në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë do të luhen përkatësisht, Wolverhampton-i kundër Leeds-it, Real Betis-i kundër Getafe-s, Armina Bielefeld kundër Wolfsburg-ut, Fiorentina kundër Spezia-s, Cagliari kundër Torino-s dhe Stade Brestois-i kundër Lyon-it.

Në Premier Ligë, duke filluar nga ora 21:00, Wolves-i vendit të 12 në renditje do të presë Leeds-in e vendit të 11. Miqtë kanë dy pikë më shumë në renditje se vendasit, që kanë 30 pikë, pas 24 javësh të luajtura. Ujqërit e Nuno Espirito Santo-s kanë një ndeshje më shumë se miqtë e Marcelo Bielsa-s.

Ndeshja e parë midis dy ekipeve me Leeds-in vendas, përfundoi me rezultatin 0-1. Për Ujqërit shënoi Raul Jimenez-i.

La Liga hapet me sfidën, Betis përballë Getafe-s, duke filluar nga ora 21:00. Vendasit kanë 33 pikë dhe renditen në vendin e shtatë, pas 23 javësh, ndërsa miqtë renditen në vendin e 14 me 24 pikë.

Ndeshja e parë e luajtur në Madrid mes tyre ka përfunduar me rezultatin 3-0 për Getafe-n. Golat u shënuan nga Angel Rodriguez-i (dy gola) dhe Marc Cucurella.

Bundesliga nisë me përballjen Armina – Wolfsburg, duke filluar nga ora 20:30. Vendasit kërkojnë të suprizojnë edhe Wolfsburg-un, pasi ndeshjen e fundit në kampionat e barazuan 3-3 në Mynih përballë Bayern Munich-ut.

Armina renditet në vendin e 16 me 18 pikë, ndërsa Wolfsburg-u i vendit të katërt ka 39 pikë. Ndeshja e fundit midis sy ekipeve ka përfunduar 2-1 për Wolfsburg-un. Shënuesit në atë ndeshje ishin, Wout Weghorst-i dhe Maximilian Arnold-i për Wolfsburd-un dhe Sven Schipplock-u për Armina-n.

Në Itali, ka dy ndeshje në Serinë A. Duke filluar nga ora 18:30, Fiorentina e vendit të 16 do të presë në  “Artemio Franchi” Spezia-n e vendit të 13. Për vendasit janë 22 pikë në rendtije, ndërsa ekipi i Ardian Ismajlit ka dy pikë më shumë.

Ndeshja e fundit midis dy ekipeve ka përfunduar me rezultatin 2-2. Spezia e gjeti veten në disavazntazhin e dy golave, të shënuar nga German Pezzella dhe Cristiano Biraghi, por barazoi me anë të Daniele Verde-s dhe Diego Farias-it.

Në Sardenjë duke filluar nga ora 20:45, do të luhet sfida Cagliari kundër Torino-s. Vendasit janë në vendin e 18 të Serisë A me 15 pikë, dy pikë më pak se miqtë që renditen në vendin e 17.

Ndeshja e fundit midis dy ekipeve ka përfunduar 2-3 për Cagliari-n. Dy golat për vendasit në atë ndeshje u shënuan nga Andrea Belotti. Për Cagliari-n shënuan Joao Pedro dhe dy golat e tjerë erdhën nga Giovani Simeone.

Në Francë, duke filluar nga ora 21:00, Brest-i do të ndeshet me Lyon-in. Pas 25 javësh, vendasit renditen në vendin e 12 me 31 pikë, ndërsa Lyon-i është në vendin e tretë me 52 pikë, tre pikë më pak se Lille e vendit të parë.

Ndeshja e fundit mes tyre, e luajtur në Lion përfundoi me rezultatin 2-2. Për Lyon-in shënuan Memphis Depay dhe Maxwell Cornet-i. Në krahun tjetër dy golat erdhën si pasojë e një autogoli nga portieri i Lyon-it, Anthony Lopes-it dhe tjetri u shënua nga Romain Faivre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore