Sport

Rikthehen kampionatet, ja ndeshjet e të premtes


Pas ndeshjeve të Kupave të Evropës në mesjavë, këtë të premte rikthehen ndeshjet e kampionateve. Dy ndeshje do të luhen në Serie A dhe nga një në Premier League, La Liga, Ligue 1 dhe Bundesliga.

Serie A fillon java e nëntë. Sfida hapëse e kësaj jave do të jetë ajo mes Torino-s dhe Genoa-s. Ndeshja do të luhet në “Olimpico Grande Torino”, duke filluar nga ora 18:30. Pas tetë javëve të para, Torino numëron tetë pikë në renditje. Për miqtë janë gjashtë pikë.

Sampdoria do të presë Spezia-n e Ardjan Ismajlit dhe Rei Manajt në “Luigi Ferraris”. Ndeshja do të luhet nga ora 20:45. Skuadrat kanë përkatësisht, shtatë pikë Spezia dhe gjashtë pikë Sampdoria.

Premier League, Arsenal-i do të kërkojë të rikthehet te fitorja. Përballë do të ketë Aston Villa-n në javën e nëntë të kampionatit. 11 pikë kanë në renditje “topçinjtë”. Një pikë më pak ka Villa.

La Liga, Osasuna vendase do të presë Granada-n në “Estadio El Sadar”, për javën e 10. Ndeshja do të luhet duke filluar nga ora 21:00.

Deri më tani, Osasuna është surpriza e La Liga-s, pasi ka grumbulluar 17 pikë, po aq sa Real Madrid-i, Atletico Madrid-i dhe Sevilla, që mbajnë përkatësisht vendin e dytë, tretë dhe të katërt. Në krahun tjetër, Granada ka gjashtë pikë dhe renditet në vendin e 17.

Bundesliga, Mainz-i do të përballet me Augsburg-un në “Opel Arena”. Sfida do të fillojë nga ora 20:30. Vendasit kanë 10 pikë në renditje. Katër pikë më pak kanë miqtë.

Ligue 1, Saint-Etienne do të kërkojë fitoren përballë Angers-it, në javën e 11 të kampionatit. Ndeshja do të luhet në  “Stade Geoffroy Guichard”, nga ora 21:00. Katër pikë në renditje kanë vendasit. Për miqtë janë 16 pikë në renditje.

Kampionatet do të vijojnë në fundjavë dhe në mesjavën e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore