Shqipëria

Rihapja e dosjes “Gërdeci”, reagon avokati i Mediut: Një akt anti-Kushtetues


Fill pas marrjes në dorë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, të premten e 24 shtatorit – për rishqyrtimin e dosjes “Gërdeci” – ka reaguar avokati i ish-ministrit të Mbrojtjes dhe deputetit Fatmir Mediu.

Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Mediut, Ardian Vishta, e ka cilësuar vendimin si një akt anti-Kushtetues.

Sipas tij, kjo është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë.

“Ai (vendimi), përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji”.

Vishta ka vijuar më tej deklaratën duke theksuar se ky vendim është pluri-shkelës i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit.

Për të, shkelja e ligjit konsiston se, “ e njëjta çështje është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019”.

Avokati Vishta ka theksuar dhe më tej faktin se ky vendim cenon hapur parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar dhe parimin e ligjit favorizues.

“Për më tepër synon procedimin për një akuzë, afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë”.

Në përfundim bëri me dije se, pasi ai të njihet me “arsyetimin” e këtij akti të paligjshëm, “do reagojmë me transparencë e me të gjitha mjetet ligjore të përshtatshme”.

Rihapja e dosjes “Gërdeci”

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur që të rigjykojë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke rihapur dosjen “Gërdeci”.

Gjyqtarja, e cila do të shqyrtojë çështjen e “Gërdecit”, në Apelin e Posaçëm, do të jetë Saida Dollani.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit ndaj Mediut.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e depos së armëve në Gërdec, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.

Shpërthimi i depos së armëve në Gërdec, më 15 mars 2008
Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet. Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim. Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shpërthimi i Gërdecit

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.

Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore