Sport

Rihapen dyert e volejbollit shqiptar; ekipi flet me Albanian Post


Që kur u mbyllëm në karantinë për herë të parë në Mars të vitit 2020, u mbyllën edhe dyert e volejbollit dhe u deshën plot 11 muaj që të lejohet vazhdimi i garave.

Pas kërkesave të panumërta nga Federata Shqiptare e Volejbollit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe Ministria e Shëndetësise miratuan ato me 3 shkurt, duke zyrtarizuar fillimin e sezonit të ri të volejbollit.

Me 13 shkurt do fillonte sezoni në kategorinë e femrave dhe një ditë më pas ai në kategorinë e meshkujve.

Me datë 13 shkurt filluan edhe zyrtarisht ndeshjet e javës së parë për volejbollin e femrave:

Barleti Volley – Elbasani

Mirdita – Flamurtari

Vllaznia – Apolonia

Tirana – Korabi

Partizani – Lushnja

Teuta – Skënderbeu

Gazetari i Albanianpost përcjelli nga afër ndeshjen Tirana – Korabi në palestrën sportive “Farie Hoti”.

Para ndeshjes së të rriturve, në mëngjesin e së shtunës së 13 shkurtit kishte edhe ndeshje të të rinjve, që bëheshin gati për rifillimin e sezonit.

Nga skuadra e Tiranës, trajneri Adrian Gorenca për Albanian Post u shpreh rreth fillimit të garave dhe muajve të kaluar pa volejbollin:

“Rifillimi i garave është një fat i madh për ne, këtë ja dedikojmë FSHV dhe MSH që na dha të drejtën për të filluar kampionatin.”

“Jeta pa volejboll ishte shumë e vështirë sepse nuk na lejoj neve të praktikonim sportin që duam. Deri vonë nuk kemi pas mundësi që të kapim topin për stërvitje.”

Për kohën e përgatitjes për sezonin e ri Gorenca u shpreh që ishte shumë e limituar dhe ata i bënë stërvitjet jashtë në natyrë, më mundësitë që u ofroheshin.

Jeta pa volejboll ishte e vështirë për çdo sportist, por në Shqipëri ka shumë që përveç sportit ushtrojnë edhe profesione tjera.

E tillë është edhe kapitenja e Tiranës, Silva Kokonozi, që për Albanian Post tregoi më shumë rreth eksperiencës së saj jashtë fushave të volejbollit.

“Unë jam mësuese e edukimit fizik në shkollën “Ymer Lala” në Surrel, dhe sportin zakonisht e aplikoj pasdite.”

“Në kohën pa volejboll, stërvitjet i bënim jashtë, por për ne kjo ishte shumë e vështirë, sepse për një sport si i joni, na duhet gjithsesi palestra, që në karantinë, e kishim të ndaluar.”

Trajneri i Korabit, Fehmi Bulku u shpreh:

“Me vështirësi kaluam këto 11 muaj, por gjëja më e rëndësishmë për ne është që u hapën pallatet e sportit.”

“Kemi bërë shumë kërkesa gjatë gjithë kohës, por gjithnjë na kthenin prapa. Me insistimin e FSHV dhe MASR, arritëm që më në fund të kthehemi aty ku na takon të jemi.”

Për përgatitjen e Korabit Bulku tha që nuk kanë ardhur me përgatitjen e duhur fizike por me kalimin e kohës do e arrijnë atë: “Kjo është gjë normale, 11 muaj pa zhvilluar asnjë ndeshje do ndikoj negativisht në fitnesin tonë, por të gjithë skuadrat janë në këtë gjendje.”

Qëllimi i Korabit për këtë sezon është të përballoj kampionatin në këto kushte të vështira.

Dëshira më e madhe e Bulkut është që të mos ketë më ndalje për shkak të COVID-19.

Për Albanian Post u prononcuan edhe dy nga volejbollistet e Korabit, Biona Myftari dhe Ermenda Hidri.

“Rikthimi është shumë i vështirë, nuk munguan vetëm ndeshjet por edhe stërvitjet”

“Stërvitjet i kemi filluar rreth 2 muaj më parë, por tërë kohën i kemi bërë jashtë dhe kjo ka ndikuar që ne të mos vijmë për rifillimin e sezonit në gjendjen optimale.”  tha Myftari.

“Presim një stabilitet të gjithë gjendjes, do jetë një sezon me vështirsi si në çdo sport tjetër, por ne do japim maksimumin që të paraqitemi sa më mirë.” shtoi Hidri.

Ajo tha që një ndikim negativ do ketë edhe mungesa e tifozëve sepse ata janë zemra e skuadrës dhe motivi kryesor për të gjithë.

“Por, si fillim shpresojmë për një kohë më të mirë për të gjithë, kohë për të cilën duhet të sakfrifikojmë.” mbylli ajo.

Tirana mbylli këtë ndeshje me fitore 3-0 në sete, duke nisur sezonin në mënyrën më të mirë.

Pas volejbollit, pritet që në Shqipëri të fillojnë edhe garat e basketbollit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore