Lajme

Rihana mbështet protestën e fermerëve në Indi


Këngëtarja me famë botërorë, Rihanna dhe aktivistja e klimës, Greta Thunberg, janë bërë subjekt i zemërimit nga qeveria indiane.

Kjo, pasi ata mbështetën protestat e mëdha kundër ligjeve të reja të fermave.

Dhjetëra mijëra fermerë janë vendosur në periferi të kryeqytetit të Indisë. Ata bëjnë thirrje për një shfuqizim të ligjeve nga të cilët ata frikësohen se favorizojnë korporatat e mëdha.

Rihanna, e cila ka më shumë se 100 milionë ndjekës në Twitter, shkroi “Pse nuk po flasim për këtë ?! Protesta e Fermerëve”.

Posti i saj u shpërnda më shumë se 230 mijë herë dhe u pëlqye nga më shumë se gjysmë milioni përdorues.

Ajo u bashkua me disa të famshëm të tjerë, përfshirë ligjvënës nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Të gjithë shprehën solidaritetin e tyre me fermerët protestues.

Aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg, një nga ambjentalistet më të shquara të mjedisit në botë, gjithashtu shkroi në Twitter.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me protestën e fermerëve në Indi”.

Mbështetje pati edhe nga mbesa e zëvendëspresidentit të SHBA-së, Kamala Harris, nëna e së cilës lindi në Indi.

“Ne të gjithë duhet të zemërohemi nga bllokimi i internetit dhe dhuna ushtarake e ushtruar kundër fermerëve që po protestojnë”, shkroi në Twitter, Meena Harris.

Statuset e personaliteteve nga e gjithë bota shkaktuan mori reagimesh në Indi. Protestat e fermerëve janë bërë një nga sfidat më të mëdha për kryeministrin nacionalist hindu, Narendra Modi, që kur mori pushtetin në 2014.

Qeveria e Indisë nuk i ka pranuar vërejtjet ndërkombëtare për protestat. Ajo i ka quajtur ato si “çështje të brendshme”, duke shtuar se fermerët po përpiqeshin të mobilizoheshin kundër qeverisë.

Reagimet e qeverisë indiane

Ministri i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, tha të mërkurën se të famshmit kishin nevojë që t’a kuptonin çështjen siç duhet.

Anëtarët e Partisë qeverisëse të Indisë, Bharatiya Janata (BJP), dhe mbështetësit e saj rregullisht i quajnë kritikët e tyre tradhtarë, propagandues dhe “anti-kombëtarë”.

Aktorja Bollywood-jane, Kangana Ranaut, një mbështetëse e zëshme e Modi-t, u përgjigj duke i quajtur fermerët protestues “terroristë” dhe Rihanna-n një “budallaçkë”.

Modi ka thënë se ligjet janë të nevojshme për të modernizuar sektorin e bujqësisë në Indi, por fermerët kanë frikë se do t’i vinin ato në mëshirën e korporatave të mëdha.

Një forum i sindikatave të fermerëve tha se qeveria kishte shkëputur energjinë elektrike dhe ujin. Ajo pezulloi internetin, llogaritë e mediave sociale dhe hoqi tualetet e lëvizshme në vendet e protestës.

Policia ka vënë barrikada dhe ka gërmuar llogore në autostrada për të ndaluar hyrjen e protestuesve në kryeqytet. Kjo erdhi si pasojë e një grupi, i cili përdori dhunë më 26 janar.

Twitter bllokoi përkohësisht dhjetëra llogari në lidhje me protestat. Bllokimi erdhi me kërkesë të qeverisë indiane. Policia ka ndaluar dhjetëra fermerë dhe ngriti akuza për trazira kundër gazetarëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore