Boterori 2022

Rice flet pas eliminimit të Anglisë: Nuk ka faj trajneri, por ne futbollistët


Anglia u eliminua nga Kupa e Botës, duke u mposhtur në çerekfinale nga Franca me rezultat 1:2.

Ishte një sfidë shumë e luftuar, me raste, me gola, por në fund ëndrra për titullin e dytë kampion u shua nga anglezët.

Një nga futbollistët më të mirë të Anglisë në këtë aventurë, ishte mesfushori i West Ham United, Declan Rice.

Ky i fundit ka reaguar duke thënë se fajin e eliminimit nuk e ka trajneri Gareth Southgate, por vetë lojtarët që shpërdoruan raste.

“Gareth Southgate? Shpresoj të qëndrojë. Shumë gjëra janë thënë mbi të ardhmen, ka shumë kritika të pamerituara, por me bindje them se nuk është faji i tij për këtë eliminim. Taktika e tij ishte e drejtë, por ne pësuam dy gola dhe nuk është faji i trajnerit, por duhet kërkuar te lojtarët”, tha Declan Rice.

Mesfushori 23-vjeçar komentoi më tej ndeshjen, derisa tha se Franca nuk e meritoi fitoren, si dhe kritikoi gjyqtarin për disa vendime.

“Ishte një sfidë të cilën ne luajtëm shumë mirë, më mirë se kundërshtari. Përpara takimit natyrisht ne kishim pikëpyetjet tona, por ishim maksimalisht të bindur se kishim forcën e duhur për të mposhtur Francën” ka thënë 23-vjeçari.

“Përveç dy golave nuk mbaj mend asnjë rast të tyre. Nuk jemi të kënaqur me disa vendime nga arbitri kryesor, por në fund ishim ne që humbëm dhe prandaj jemi përgjegjës për këtë disfatë dhe llogaritë duhet t’i kërkojmë vetëm brenda grupit”, shtoi Rice.

“Për mendimin tim, skuadra më e mirë u eliminua dhe kjo tregon nivelin tonë”, tha mes tjerash mesfushori anglez, Declan Rice.

Tani Franca është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Botës, derisa do të ballafaqohet me Marokun që bëri befasinë duke e eliminuar Portugalinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore