Shqipëria

Ribashkimi – me gjobë – i familjes shqiptare në Kanada


Në Kanada, zyrtarët e imigracionit ia mohuan hyrjen në vend familjes së tij.

Pastaj, pandemia, e shkëputi plotësisht nga gruaja dhe fëmijët.

Emigranti shqiptar, i dëshpëruar për t’u ribashkuar me të dashurit e tij, i kërkoi mikut të tij që t’i kalonte kontrabandë përmes Peace Bridge në Fort Erie.

Shoferi i një kamioni, Andrea Zafirati, gjithashtu me origjinë shqiptare, ishte dakord.

“Ndoshta ky ishte një akt humanitar, për të ndihmuar një bashkatdhetar dhe familjen e tij”, ka thënë gjykatësi Cameron Watson në Gjykatën e Drejtësisë të Ontario-s në St. Catharines.

“Është e lavdërueshme. Njerëzit shpesh ndihmojnë të tjerët nga vendi i tyre për të hyrë në Kanada, kjo është pjesë e asaj që e bën Kanadanë një komb të madh dhe një komb të mrekullueshëm për të jetuar”, ka shtuar ai.

Por mos ndjekja e procedurave të duhura të imigracionit është një vepër e rëndë penale.

“Dashuria dhe vetmia nuk janë zëvendësim për ligjshmërinë dhe vërtetësinë në këtë rast”, ka vënë në dukje gjyqtari.

Zafirati, banor i Oakville, u gjobit me pesë mijë dollarë pasi u dënua për shkelje të lidhur me kontrabandën e qenieve njerëzore sipas Aktit të Emigracionit dhe Mbrojtjes së Refugjatëve.

Ishte dhjetor 2021.

Një oficer i Agjencisë së Shërbimeve Kufitare të Kanadasë inspektoi një dollap të vogël në kabinën e pasme të kamionit, kur vuri re “flokë dhe të bardhën e syve”.

Gruaja gjendej brenda atij dollapi. Kurse dy fëmijët ishin fshehur nën batanije në një krevat marinari aty pranë.

Zafirati nuk kishte kërkuar apo marrë ndonjë përfitim financiar për kontrabandimin e familjes përtej kufirit.

Pavarësisht kësaj, gjyqtari ka veçuar se plani kërkonte një shkallë të caktuar planifikimi dhe paramendimi.

“Ishte një plan gënjeshtrash dhe mashtrimi dhe ishte një plan zgjedhjesh të qëllimshme që u morën”, ka saktësuar ai.

Për Cameron, skema të tilla minojnë integritetin e sistemit të emigracionit të Kanadasë.

Dhe se është fyerje për të gjithë njerëzit që kanë ardhur në Kanada dhe e kanë bërë atë siç duhet.

“Nuk ka kuptim të kemi rregulla dhe ligje nëse ato përmbysen pa u ndëshkuar, ose nëse nuk ka pasoja domethënëse parandaluese”, ka ravijëzuar gjyqtari.

Gjykatës iu tha se babai ishte i dëshpëruar të ribashkohej me familjen e tij pasi ishte ndarë për më shumë se dy vjet.

Fillimisht, atyre u ishin refuzuar vizat. Më pas, kalimet kufitare u mbyllën për trafikun jo-tregtar për shkak të COVID-19.

“Nuk është e vështirë të imagjinohet se ai ishte i frustruar me sistemin e imigracionit që ndoshta, sipas mendimit të tij, po merrte shumë kohë për t’u marrë me procesin në mënyrë legjitime”, ka thënë gjykatësi.

Megjithatë, sipas tij, i pandehuri mund ta kishte çuar treshen në urë dhe më pas t’i linte të kalonin në Kanada, ku mund të kishin kërkuar statusin e refugjatit.

“Dikush mund të thotë se ata morën ligjin në duart e tyre dhe vendosën të procedojnë në një mënyrë tjetër që për fat të keq për ta dhe Zafiratin nuk funksionoi”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore